Portieri italian i Llapit tregon përditshmërinë në Kosovë gjatë pandemisë, tregon gjendjen e familjes së tij në Itali

Portieri italian i Llapit tregon përditshmërinë në Kosovë gjatë pandemisë, tregon gjendjen e familjes së tij në Itali

Sport April 02, 2020 - 13:53

Pandemia COVID-19 e njohur ndryshe si koronavirus ka paralizuar sportin në mbarë botën. Edhe në Kosovë, ngjarjet sportive janë pezulluar për një afat të pacaktuar për shkak të përhapjes së këtij virusi që ka infektuar mbi 120 persona.

Sporti më i bukur në botë, futbolli, gjithashtu ka ndalur aktivitetet deri në një njoftim të pacaktuar, shkruan Zëri.info.

Futbollistët, megjithatë, nuk po ndalen dhe po vazhdojnë të stërviten në baza individuale, në kushte të improvizuara, për ta mbajtur formën e tyre optimale.

Në futbollin e Kosovës dihet se ka edhe futbollistë të huaj, të cilët janë duke ndjekur me përpikëri udhëzimet e trajnerëve të tyre për stërvitje individuale.

Megjithatë, në një krizë si kjo, nuk është aspak e lehtë për një futbollist të huaj të qëndrojë në Kosovë.

Zëri.info ka zhvilluar biseda me disa prej futbollistëve të huaj që jetojnë për momentin në Kosovë, jashtë familjeve të tyre.

Ata kanë rrëfyer mënyrën e jetesës tani për tani në vendin tonë, në një periudhë ku është ndalur edhe lëvizja e lirë në disa orare të caktuara.

Njëri prej shumë futbollistëve të huaj që luajnë në Kosovë është edhe Giacomo Nava, i cili është pjesë e Llapit të Podujevës.

‘Gardiani’ italian iu bashkua Llapit në afatin kalimtar dimëror, teksa transferimi i tij te skuadra e Tahir Batatinës doli të jetë tejet i qëlluar.

Përditshmërinë e tij në këtë periudhë të vështirë pandemie në Kosovë, Nava nuk ka ngurruar ta shpalosë për Zëri.info.

Fillimisht, ai ka folur për mënyrën se si e kalon një ditë në Kosovë.

“Zgjohem rreth orës 09:00. Në mëngjes stërvitem në shtëpi, dhe më pas ha bukë rreth orës 13:00. Pas ‘Netflix’ dhe PS4, kontaktoj me bashkëlojtarët e mi dhe nganjëherë ne stërvisim së bashku”, u shpreh Nava për Zëri.info.

Ndonëse luan te Llapi në Podujevë, portieri italian tregon se jeton në kryeqytet, Prishtinë.

“Unë jetoj në Prishtinë i vetëm. Dhe tani me restorantet e mbyllura, jam bërë kuzhinier. Vetëm ata që përshtaten, mbijetojnë”, vazhdon rrëfimin ish-portieri i Lecces.

Familja e tij jeton në Itali, vendin i cili ka pasur dhe vazhdon të ketë probleme të mëdha për shkak të koronavirusit, por Nava thotë se i kontakton vazhdimisht.

“Familja ime ndodhet në itali dhe unë i thërras ata çdo ditë. Këtu unë kam vetëm familjen e Llapit”, thotë italiani duke treguar më pas mënyren si stërvitet:

“Çdo futbollist i Llapit është i organizuar për stërvitje individuale. Nuk është e lehtë, por situata është rrezikshme”, nënvizoi Nava.

I pyetur nëse i mungon futbolli, Nava përfundoi: “Nëse nuk i mungon futbolli ndonjë futbollisti, atëherë ata kanë zgjedhur punën e gabuar”./Zëri.info

Image