Ndryshe nga Kosova, gjyqtari kosovar tregon se si paguhen gjyqtarët e futbollit në Zvicër

Ndryshe nga Kosova, gjyqtari kosovar tregon se si paguhen gjyqtarët e futbollit në Zvicër

Sport March 31, 2020 - 15:00

Ndonëse janë njerëzit më të kritikuar në futbollin e Kosovës, gjyqtarët kosovarë janë duke kaluar nëpër periudhë tejet të vështirë si pasojë e krizës globale të quajtur koronavirus, e cila tashmë ka sjellur pasoja edhe në vendin tonë.

Deri më tash janë infektuar 108 persona në Kosovë, gjë e cila ka bërë që të pezullohet futbolli si dhe ngajarjet tjera sportive, raporton Zëri.info.

Drejtuesit e klubeve dhe futbollistëve janë në 'hall' dhe çdo ditë po shprehin shqetësimet e tyre për shkak se ky pezullim i aktiviteteve ka bërë që të ndihet sado pak kriza financiare, që më së shumti mund t'i dëmtojë futbollistët që luajnë në vendin tonë.

Megjithatë, askush nuk po flet për gjyqtarët kosovarë, të cilët paguhen vetëm kur ndajnë drejtësinë në ndonjë ndeshje dhe në këtë periudhë kur ata nuk po e kryejnë punën e tyre, nuk e marrin asnjë qindarkë në formë të mbështetjes.

Image

Shqetësues është fakti se gjyqtarët kosovarë nuk kanë kontrata me Federatën e Futbollit të Kosovës, pra nuk paguhen me paga mujore, por vetëm me mëditje sa herë që referojnë ndeshjet kampionale apo ato të Kupës së Kosovës.

Për të qenë korrekt, një gjyqtar kryesor në vendin tonë paguhet 200 euro për një ndeshje, 150 euro i takojnë anësorëve dhe 100 euro gjyqtarit të katërt.

Por, ky pezullim i futbollit i ka gjetur në një periudhë mjaft të vështirë gjyqtarët kosovarë, për të cilët duket se nuk po interesohet askush.

Zëri.info ka kontaktuar me dy prej gjyqtarëve kosovarë që ndajnë drejtësinë në ndeshjet e futbollit kosovar, për të kuptuar situatën e tyre, e cila po del të jetë mjaft e vështirë.

Gjithashtu, Zëri.info ka kontaktuar edhe gjyqtarin e mirënjohur kosovar, Bekim Zogaj, i cili profesionin e tij prej gjyqtari e ushtron në Zvicër.

Zogaj në mes të tjerash ka thënë se paguhet në baza mujore në Zvicër, pasi ka kontratë profesionale, një praktikë e cila nuk gjen implementim në futbollin kosovar.

Njëri prej gjyqtarëve më të mirë kosovar që profesionin e tij e tij e ushtron në Zvicër padyshim se është Bekim Zogaj.

Zogaj është gjyqtar i mirënjohur që e shohim mjaft shpesh në ndeshje të ndryshme ndërkombëtare.

Në një bisedë me Zëri.info, ai ka treguar formën se si është situata me gjyqtarët në futbollin zviceran.

"Në Zvicër, ne jemi të pajisur me kontrata profesionale. Nëse vazhdohet kampionati, ne i marrim pagat e plota", ka thënë fillimisht Bekim Zogaj.

"Kurse, nëse anulohet edicioni aktual, atëherë do t'i marrim pagat për 50 ose 80 përqind", tregon më tej Zogaj, i cili thotë se edhe në Kosovë duhet që gjyqtarët të pajisen me kontrata profesionale.

"Nëse vazhdon kampionati, paguhen mëdijet, por nëse anulohet, mbetet të shihet se a ka fonde për t'i mbuluar mëdijet e tyre. Nëse duhet të rritet niveli, gjyqtarët duhet të punësohen me kontrata, sidomos ata të FIFA-s. Në shtetet si Anglia, Franca e Spanja, gjyqtarët janë të punësuar me kontrata", përfundoi Bekim Zogaj./Zëri.info