Gjyqtarët kosovarë për 'gjynah', më të kritikuarit në Kosovë, por nuk e marrin asnjë qindarkë në këtë periudhë pandemie

Gjyqtarët kosovarë për 'gjynah', më të kritikuarit në Kosovë, por nuk e marrin asnjë qindarkë në këtë periudhë pandemie

Sport March 31, 2020 - 12:25

Derisa të gjithë po ankohen për krizën financiare të klubeve dhe futbollistëve, situata me pandeminë COVID-19 e njohur si koronavirusi, më së shumti dëme duket se do t'iu shkaktojë gjyqtarëve kosovarë. Ata paguhen me mëditje për çdo ndeshje që referojnë, andaj në këtë periudhë kur ndeshjet janë pezulluar, situata e tyre është rënduar. Zëri.info ka kontaktuar me dy gjyqtarë kosovarë të cilët në kushte anonimiteti kanë pranuar krizën, me Bekim Zogajn, gjyqtarin kosovar që profesionin e tij e kryen në Zvicër, si dhe me të parin e FFK-së, Agim Ademin

Meriton Bytyqi

Ndonëse janë njerëzit më të kritikuar në futbollin e Kosovës, gjyqtarët kosovarë janë duke kaluar nëpër periudhë tejet të vështirë si pasojë e krizës globale të quajtur koronavirus, e cila tashmë ka sjellur pasoja edhe në vendin tonë.

Deri më tash janë infektuar 108 persona në Kosovë, gjë e cila ka bërë që të pezullohet futbolli si dhe ngajarjet tjera sportive, raporton Zëri.info.

Drejtuesit e klubeve dhe futbollistëve janë në 'hall' dhe çdo ditë po shprehin shqetësimet e tyre për shkak se ky pezullim i aktiviteteve ka bërë që të ndihet sado pak kriza financiare, që më së shumti mund t'i dëmtojë futbollistët që luajnë në vendin tonë.

Megjithatë, askush nuk po flet për gjyqtarët kosovarë, të cilët paguhen vetëm kur ndajnë drejtësinë në ndonjë ndeshje dhe në këtë periudhë kur ata nuk po e kryejnë punën e tyre, nuk e marrin asnjë qindarkë në formë të mbështetjes.

Shqetësues është fakti se gjyqtarët kosovarë nuk kanë kontrata me Federatën e Futbollit të Kosovës, pra nuk paguhen me paga mujore, por vetëm me mëditje sa herë që referojnë ndeshjet kampionale apo ato të Kupës së Kosovës.

Për të qenë korrekt, një gjyqtar kryesor në vendin tonë paguhet 200 euro për një ndeshje, 150 euro i takojnë anësorëve dhe 100 euro gjyqtarit të katërt.

Por, ky pezullim i futbollit i ka gjetur në një periudhë mjaft të vështirë gjyqtarët kosovarë, për të cilët duket se nuk po interesohet askush.

Zëri.info ka kontaktuar me dy prej gjyqtarëve kosovarë që ndajnë drejtësinë në ndeshjet e futbollit kosovar, për të kuptuar situatën e tyre, e cila po del të jetë mjaft e vështirë.

Image

Gjithashtu, Zëri.info ka kontaktuar edhe gjyqtarin e mirënjohur kosovar, Bekim Zogaj, i cili profesionin e tij prej gjyqtari e ushtron në Zvicër.

Zogaj në mes të tjerash ka thënë se paguhet në baza mujore në Zvicër, pasi ka kontratë profesionale, një praktikë e cila nuk gjen implementim në futbollin kosovar.

"Të gjithë po flasin për futbollistët dhe klubet, askush për gjyqtarët"

Gjyqtarët kosovarë në kushte anonimiteti kanë thënë se situata është mjaft e vështirë, duke pasur parasysh tërë përgatitjet që i kanë bërë. 

Ata janë të shqetësuar me faktin se askush nuk po flet për ta, por vetëm për futbollistët dhe klubet.

"Jemi në një situatë mjaft të vështirë duke pasur parasyh gjithë ato përgatitje që i kemi bërë. Të gjithë po flasin vetëm për futbollistë dhe klube, kurse askush për gjyqtarët. Deri tani, askush nuk është interesuar për ne", ka thënë një gjyqtar kosovar (emër i njohur për redaksinë) për Zëri.info.

Nga ana tjetër, edhe një tjetër gjyqtar që ndan drejtësinë në vendin tonë e ka pranuar se kjo është një periudhë mjaft e vështirë.

Tutje, ai ka treguar se për ato pak ndeshje që i kanë referuar në fillim të këtij muaji, janë paguar gjatë ditës së djeshme.

"Siç e dini, gjyqtarët nuk paguhen me paga mujore, por me mëditje. Ne i kemi marrë paratë nga ndeshjet që i kemi referuar këtë muaj. Megjithatë, nga FFK-ja dhe Shoqata e Referëve të Kosovës na kanë thënë të lajmërohemi nëse kemi ndonjë vështirësi financiare", ka thënë më tej gjyqtari në fjalë në kushte anonimiteti.

Zogaj: Në Zvicër kemi kontrata profesionale

Njëri prej gjyqtarëve më të mirë kosovar që profesionin e tij e tij e ushtron në Zvicër padyshim se është Bekim Zogaj.

Zogaj është gjyqtar i mirënjohur që e shohim mjaft shpesh në ndeshje të ndryshme ndërkombëtare.

Image

Në një bisedë me Zëri.info, ai ka treguar formën se si është situata me gjyqtarët në futbollin zviceran.

"Në Zvicër, ne jemi të pajisur me kontrata profesionale. Nëse vazhdohet kampionati, ne i marrim pagat e plota", ka thënë fillimisht Bekim Zogaj.

"Kurse, nëse anulohet edicioni aktual, atëherë do t'i marrim pagat për 50 ose 80 përqind", tregon më tej Zogaj, i cili thotë se edhe në Kosovë duhet që gjyqtarët të pajisen me kontrata profesionale.

"Nëse vazhdon kampionati, paguhen mëdijet, por nëse anulohet, mbetet të shihet se a ka fonde për t'i mbuluar mëdijet e tyre. Nëse duhet të rritet niveli, gjyqtarët duhet të punësohen me kontrata, sidomos ata të FIFA-s. Në shtetet si Anglia, Franca e Spanja, gjyqtarët janë të punësuar me kontrata", përfundoi Bekim Zogaj.

Ademi premton të mos i lë anash gjyqtarët kosovarë

Nga ana tjetër, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi nuk mendon t'i lë anash as gjyqtarët kosovarë.

Ai ka thënë se është duke pritur mjetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, teksa shpreson edhe në fonde nga UEFA, nga të cilat thotë se do të ndajë një pjesë edhe për gjyqtarët.

Image

"Ne jemi duke i pritur mjetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, derisa shpresojmë edhe në fonde nga UEFA. Por, që ende nuk e dimë shumën e saktë. Brenda mundësive, ne do të mundohemi që të mos i lëmë anash as gjyqtarët në këtë periudhë tejet të vështirë", ka thënë Agim Ademi për Zëri.info.