Kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos lavdëron Kelmendin

Kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos lavdëron Kelmendin

Sport February 28, 2020 - 12:31
Detajet

Kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, ka thënë se kosovarët duhet të ndihen krenarë që e kanë Majlinda Kelmendin si përfaqësuese të vendit sepse ajo është njëra ndër sportistet më të mira në botë.

Shtatorja e kampiones Olimpike kosovare, Majlinda Kelmendi, u përurua sot në vendlindjen e saj, në Pejë. Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016,.

Kjo statujë e xhudistes kosovare është ndërtuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, kryetari i së cilës, Marius Vizer, e mbajti një fjalim gjatë ceremonisë në Pejë dhe e lavdëroi xhudisten kosovare.

“E dashur Majlinda, të dashur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, zyrtarë lokalë, familja e Komitetit Olimpik dhe Federatës së Xhudos, qytetarë të Pejës dhe qytetarë të Kosovës. Është një nder dhe kënaqësi e madhe për sportin tonë ta kemi një përfaqësuese të tillë, që është njëra ndër atletet më të mira në botë dhe njërën ndër xhudistet më të mira në familjen e xhudos”, ka thënë Vizer.

“Unë dua t’iu uroj të gjithëve si Kosovë për këtë arrije të madhe. Fillimisht, falënderimet shkojnë për Majlindan, Dritonin, Agronin dhe të gjithë familjen e xhudos, të mbështetur nga qeveritarët, Komiteti Olimpik dhe nga shpirti i tyre, që është edhe shpirti i popullit tuaj”.

“Mendoj se Majlinda është frymëzim për të gjithë sportin kosovar, për vendin dhe ju mund të ndiheni krenarë që njëra ndër përfaqësueset më të mira të sportit botëror është nga vendi juaj”.

“Dua t’ju uroj të gjithëve sepse ju jeni një popull i bukur, keni shpirt të mrekullueshëm dhe shpresoj se do ta keni një ardhme të jashtëzakonshme me Majlindën si frymëzim. Jua uroj më të mirat në xhudo dhe në sportet e tjera në Lojërat Olimpike dhe në të ardhmen e vendit tuaj. Faleminderit shumë”.