Java e 20-të hapet sot me dy ndeshje të nxehta

Java e 20-të hapet sot me dy ndeshje të nxehta

Sport February 28, 2020 - 11:06
Lajmet e fundit nga sporti

Sot zhvillohen dy ndeshje në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, të cilat edhe mund të përcaktojnë shumëçka sa i përket luftës për titull, por edhe për mbijetesë.

Kështu java e 20-të në elitën e futbollit kosovar po pritet me shumë kërshëri, pasi jo vetëm që do të sjellë derbin e madh Prishtina – Ballkani, por ballafaqon disa skuadra që nga këto ndeshje edhe mund të përcaktohet fati i tyre në vazhdim të kampionatit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Sot Llapit udhëton drejt Ferizajt me synim fitoren, ngjashëm siç kërkon edhe Drita para tifozëve të vet, ku ndeshet me Drenicën, skuadër kjo që objektiv të vetëm e ka mbijetesën. Këto janë dy ndeshjet e ditës së premte, që edhe hapin javën e 20-të, e cila po cilësohet si javë shumë e nxehtë.

Image

Llapi nuk guxon të gabojë

Çdo rezultat tjetër përveç fitores e largon skuadrën e Tahir Batatinës Llapin nga objektivi që ka, pra lufta për titull. Në anën tjetër për Ferizajn humbja në këtë sfidë përfundimisht do të thotë edhe humbje e shpresës për mbijetesë. Kjo edhe është arsyeja që ballafaqimi ndërmjet Ferizajt e Llapit të mos ketë asnjë vend për kalkulim dhe vetëm fitorja mund t’i kënaqë këto skuadra. Gjithsesi Llapi mund të cilësohet më favorit për faktin se Ferizaj ende po kalon nëpër një situatë jo të mirë, sidomos pas largimit të trajnerit Bekim Isufi, ku skuadra ende nuk është përcaktuar për zëvendësuesin e tij dhe këtë situatë dëshiron ta shfrytëzojë Llapi, i cili nëse jo vendin e parë, gjithsesi e synon të dytin, i cili dërgon në garat e Ligës së Evropës.

Image

Drita për fronin e tabelës

Një sfidë shumë interesante për t’u ndjekur është edhe ajo ndërmjet Dritës e Drenicës. Skuadra e Ardian Nuhiut pas dy fitoreve radhazi në kampionat nuk besohet se do të lejojë të humbas pikë në fushën e vet, sidomos jo tash kur ka gjasa ta marrë kryesimin e tabelës, varësisht nga ndeshja Prishtina – Ballkani. Në anën tjetër Drenica e Gani Sejdiut pas dy humbjeve radhazi në Kampionat tashmë është në një situatë shumë të keqe në tabelë dhe në asnjë mënyrë nuk guxon të humbasë pikë, ndryshe e rrezikon shumë seriozisht mbijetesën. Kjo edhe është arsyeja që ndeshja Drita – Drenica të sjellë një lojë të luftuar shumë dhe të pakompromos për pikë, të cilat janë të arta për të dyja ekipit. Të dy ndeshjet zhvillohet sot dhe nisin nga ora 13:00, ndërsa tri ndeshje tjera luhen ditën e shtunë e ku vëmendja do të jetë të përballja Prishtina – Ballkani, që nis nga ora 17:00. Dy takime tjera të ditës së shtunë janë ato ndërmjet Feronikelit e Trepçës ’89, që gjithashtu pikët janë shumë të rëndësishme për të dyja skuadrat dhe Dukagjini tashmë pa gjasa për mbijetesë e pret Gjilanin. Java e 20-të mbyllet me ndeshjen e së dielës, e cila luhet në Prishtinë, ku Flamurtari e pret skuadrën e Vushtrrisë.