Ballkani i mobilizuar, në Prishtinë për fitore

Ballkani i mobilizuar, në Prishtinë për fitore

Sport February 28, 2020 - 11:00
Kampioni vjeshtor dhe lideri i Superligës Ballkani udhëton drejt kryeqytetit me synime për ta ruajtur pozitën e parë. Në anën tjetër Prishtina e Armend Dallkut tashmë ka synime të qarta për t’ua rrëmbyer këtë pozicion therandasve. Kjo është arsyeja që sfida e së shtunës të cilësohet si “përballja e vitit” në futbollin e Kosovës

Ejup Llumnica

Prishtina e Ballkani të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet zbresin në fushë për një përballje, që po cilësohet si “përballja e vitit”.

Kampioni vjeshtor dhe lideri i Superligës, Ballkani, udhëton drejt kryeqytetit me synime për ta ruajtur pozitën e parë. Në anën tjetër Prishtina e Armend Dallkut tashmë ka synime të qarta për t’ua rrëmbyer këtë pozicion therandasve, shkruan sot gazeta Zëri.

Atmosfera në skuadrën portokalli është e jashtëzakonshme, lojtarët mezi po e presin këtë ndeshje, derisa trajneri Ismet Munishi në mënyrën më të mirë të mundshme i ka motivuar lojtarët. “Shijoni këto momente, ju jeni ata që e keni sjellë Ballkanin në këtë situatë, sa i gjithë opinioni ka vëmendjen te ju. Nëse Prishtina po mundohet ta minimizojë këtë ndeshje, duke mos e cilësuar derbi, është vetëm një arsye për ta fshehur frikën. Pra ne jemi gati dhe jemi skuadra më e fortë në Kosovë për momentin dhe duhet fituar këtë ndeshje”, ishin fjalët e Ismet Munishit të drejtuara futbollistëve para se ata të dalin në fushë për t’i nisur përgatitjet për sfidën e së shtunës. Optimistë për ndeshje cilësore dhe për fitore janë shprehur edhe kapiteni Visar Berisha, derisa fjalë të mëdha ka dhënë edhe ish-dyshja e Prishtinës, Blendi Baftu dhe Arbër Hoxha.

Kapiteni me “këmbë në tokë”: Jo gjithçka vendoset në këtë ndeshje

Kapiteni i Ballkanit Visar Berisha, i cili në të kaluarën ka pasur mundësi ta veshë fanellën e Prishtinës, madje edhe ta udhëheqë si kapiten, ka thënë se është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo vendimtare. “Është një ndeshje shumë e fortë, por nuk do ta cilësoja vendimtare, pasi deri në fund janë edhe 13 ndeshje për t’u luajtur. Ne jemi gati dhe kemi punuar shumë për këtë sfidë”, ka thënë Berisha, i cili tregon edhe për atmosferën në skuadër. “Atmosfera është shumë e mirë, skuadra është gati dhe përveç Besnik Krasniqit, i cili mungon për shkak të kartonëve, të gjithë të tjerët janë në dispozicion. Sa i përket atmosferës, besoj se do të jetë një atmosferë e mirë, pasi edhe tifozët tanë janë duke u përgatitur dhe duke u mobilizuar për të qenë sa më shumë në atë ndeshje”, ka përfunduar Visar Berisha.

 Hoxha: E dua fitoren, por nuk festoj nëse shënoj

Njëri nga rreziku më i madh për Prishtinën pa dyshim është edhe ish-futbollisti i bardhekaltërve, talenti i madh Arbër Hoxha, i cili tash po e bart fanellën e Ballkanit. Ai ka thënë se ka shumë respekt për Prishtinën, por tash është pjesë e Ballkanit dhe me këtë skuadër e dëshiron fitoren. “Është shumë e vërtetë është një ndeshje shumë e rëndësishme. Kemi përballë një skuadër shumë të fortë siç është Prishtina, një pretendente kryesore për titull. Nuk është një lojë si në vitet e kaluara, me lojë defenzive, sivjet po luajnë lojë shumë të bukur dhe është skuadër shumë të fortë. Ne shkojmë atje për pikë pozitive dhe pse jo të luftojmë për 3 pikë”, është shprehur Hoxha.

“Se di a do të festojë, do të shohim. Varet prej shikuesve”, ka thënë Hoxha për gazetën “Zëri”.

Image

Baftiu: Ballkanin e dua kampion

Pa dyshim njëri nga futbollistët më në formë të Ballkanit është talenti i madh Blendi Baftiu. Ai pritet të jetë rrezik i madh edhe për portën e portierit Visar Bekajt, i cili i njeh shumë mirë cilësitë e tij, pasi ka luajtur më herët me të. “Është ndeshje e rëndësishme, normalisht dihet Prishtina ka një ekip cilësor edhe me disa individë. Mirëpo, prapë besoj se ne jemi duke u përgatitur mjaft mirë, jemi gati dhe shpresojmë ta vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive edhe në këtë ndeshje”, deklaroi Baftiu për gazetën “Zëri”.

“Kam respekt për klubin e Prishtinës, kam kaluar dy vite aty, mirëpo tash gjendem te Ballkani ku po kaloj shumë mirë”, shtoi ish-futbollisti i Prishtinës.

“Po është ndeshje e rëndësishme sepse është kundërshtari direkt, por vendimtare nuk do të thosha sepse ka edhe shumë ndeshje deri në fund të kampionati”, ka përfunduar Blendi Baftiu.

 10 autobusë nga Theranda në Prishtinë

Ballkani këtë herë në Prishtinë nuk udhëton vetëm si lider, por pas vetes ka një krah të fortë. Janë tifozët e tij “Xhebrailat” që kanë premtuar një mbështetje të madhe për skuadrën e zemrës. “Jemi duke u përgatitur për ndeshjen me Prishtinën, ku presim një spektakël atje. Parashikojmë në ndihmën e klubit t’i kemi 10 autobusë në dispozicion për të udhëtuar drejt kryeqytetit në mbështetje të skuadrës sonë”, ka thënë për gazetën “Zëri” përfaqësuesi i “Xhebrailave”, Korab Elshani, i cili beson shumë se kjo ndeshje do të ofrojë spektakël. “Kosova ka nevojë për ndeshje dhe për atmosferë festive. Ne shkojmë për ta mbështetur skuadrën tonë e assesi të krijojmë skena që prishin imazhin e vendit tonë. Pra synim ynë është që në Prishtinë të kemi një spektakël dhe të fitojë më i miri, sigurisht më i miri është Ballkani”, ka përfunduar Elshani.

Prishtina e Ballkani ndeshen ditën e shtunë, nga ora 17:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.