Barcelona e përgjysmuar, Manaj është alternativë dhe mund të ndihmojë në sulm

Barcelona e përgjysmuar, Manaj është alternativë dhe mund të ndihmojë në sulm

Sport February 27, 2020 - 17:09

Barcelona e pagoi shumë shtrenjtë barazimin e arritur në “San Paolo” kundër Napolit. Ekipi katalanas u kthye nga Italia me dy lojtarë të pezulluar për shkak të kartonëve dhe një të dëmtuar. Vazhdojnë problemet për Kike Setienin, i cili duhet të bëjë “shpikje” për të ndërtuar një formacion. Serxho Buskets shkoi në Napoli me rrezikun e kartonëve dhe e mori një, i cili e lë jashtë fushës për ndeshjen e kthimit. 

Vidal e humbi toruan në fundin e ndeshjes pas koreve të shumta të tifozëve napolitanë për të shkuarën e tij juventine dhe u ndëshkua me dy kartonë të verdhë. Një karton e mori për faullin kundër Mario Ruit dhe tjetrin për përplasjen që pati me portugezin. Vidal është një mungesë e madhe për katalanasit, pasi mund të luajë edhe në repartin e avancuar. Trajneri Setien shpreson që të rikuperojë Hordi Albën ose Serxhi Roberton për sfidën e kthimit, por në mesfushë duhet të luajë Rakitiç ose De Jong përpara mbrojtjes. Por lajmet e këqija nuk vijnë vetëm… Barcelona duhet të zëvendësonte në fundin e ndeshjes Xherard Pikenë, i cili pësoi një dëmtim në kavilje dhe prezenca e tij në “Bernabeu” kundër Realit është në rrezik. Ai ka besim se do t’ia dalë, por duke parë si u largua nga fusha duket e vështirë. Kike Setien duhet t’i bëjë mirë llogaritë për pjesën e mbetur të sezonit dhe të shpresojë që ndonjë nga futbollistët të rikuperohet dhe të japë kontributin për të arritur objektivat, transmeton "Panorama Sport". 

SYTË NGA MANAJ – E gjetur në këtë situatë, Barcelona sigurisht që duhet t’i hedhë sytë nga ekipi i akademisë, sepse aty ka alterna tiva dhe lojtarë që mund të luajnë pa frikë në skuadrën e parë. Një prej tyre është sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rei Manaj. Gazeta katalanase “Mundo Deportivo” shkruan se shqiptari mund të jetë një alternativë e vlefshme për të ardhmen, duke qenë se Breithueit nuk mund të luajë në Ligën e Kampioneve, për shkak se u transferua pasi ishin mbyllur listat. Gjatë kësaj kohe, Barcelona ka bërë shumë eksperimente me sulmuesin shqiptar, duke e marrë në stërvitje, duke e grumbulluar, por ende pa i dhuruar debutimin.

Gjithçka që po ndodh në ekip është në favor të shqiptarit dhe ai thjesht duhet të jetë i përgatitur për momentin që mund t’i vijë. Përveç Manajt, emrat e tjerë që mund të bindin Setienin janë Injaki Pena, Riki Puxh, Aleks Kojado, Serxho Akieme dhe Araujo etj. Manaj gjithashtu është në listën e futbollistëve që mund të jetë alternativë për katalanasit. “Rei mund të na ndihmojë shumë. Ka karakteristika të veçanta dhe është një lojtar që punon dhe përkushtohet në stërvitje”, tha Kike Setien kur e grumbulloi për ndeshjen me Getafen.