Llapi – Feronikeli, brenda apo jashtë garës për titull?

Llapi – Feronikeli, brenda apo jashtë garës për titull?

Sport February 22, 2020 - 10:24

Llapi – Feronikeli do të jetë ndeshja më interesante e xhiros së 19-të në Superligën e Kosovës në futboll. Sfida në fjalë zhvillohet sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërkohë që në kampet e të dyja skuadrave, të cilat në këtë kampionat e synuan titullin kampion, presin pikë të plota në këtë ndeshje. Sfidë interesante të shtunën do të luhet edhe në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ku Drenica sfidon Prishtinën. Ballkani – Ferizaj, Gjilani – Flamurtari dhe Trepça ’89 – Dukagjini janë duelet e së dielës

Xhiroja e 19-të e Superligës do ta sjellë derbin ndërmjet Llapit dhe Feronikelit. Kjo do të jetë një përballje mjaft e rëndësishme për të dyja ekipet, të cilat nuk guxojnë të gabojnë. Ekipi fitues do të mbetet në garë për titull të kampionit, kurse humbësi mund të mbetet jashtë garës. Lideri Ballkani do të mundohet ta ruajë distancën ndaj ndjekësve përmes një fitoreje ndaj Ferizajt në shtëpi. Ndërkaq trepikëshi i nevojitet pa diskutim edhe Prishtinës, e cila do të udhëtojë në Skenderaj për t’u ballafaquar me Drenicën. Gjilani do ta kërkojë këndelljen pas humbjes në derbin e Anamoravës me një fitore ndaj Flamurtarit, kurse favorite konsiderohet edhe Trepça ’89 kundër Dukagjinit, shkruan sot gazeta “Zëri.

Llapi apo Feronikeli?

Mesfushori i Llapit Mentor Zhdrella e ka vlerësuar lart ndeshjen me Feronikelin. Ylli i futbollit kosovar thotë se skuadra luan për fitore në mënyrë që të jetë sa më lart në renditje. “Jemi përgatitur shumë mirë për ndeshjen me Feronikelin. Dihet se Feronikeli e ka një skuadër të mirë, mirëpo ne synojmë të gjendemi sa më lart në tabelë, andaj synojmë fitore”, ka thënë para ndeshjes për gazetën “Zëri” Mentor Zhdrella.

Tutje, pesë herë lojtari më i mirë në Kosovë i shpallur nga FFK-ja njofton se trajneri Tahir Batatina për këtë takim nuk mund të llogarisë në disa futbollistë që janë të lënduar dhe disa të tjerë që nuk janë të gatshëm për lojë. “Kemi disa mungesa, mirëpo shpresoj se lojtarët që do të luajnë do ta japin më të mirën e tyre. Përparësia e Llapit në këtë ndeshje është se ne jemi më të mirë në fazën e sulmit. Nëse e zhvillojmë lojën sikurse ndaj Dukagjinit, besoj se do të arrijmë fitore”, përfundoi Mentor Zhdrella, shkrua Zëri.info.

Takimin në fjalë e ka komentuar edhe kapiteni i Feronikelit, mbrojtësi Lapidar Lladrovci. “Na pret një ndeshje e vështirë në Podujevë. Të dyja ekipet kemi luajtur shumë mirë në kampionat, andaj fitorja është e domosdoshme për të dyja skuadrat që të qëndrojmë në garë për dy vendet e para, të cilat dërgojnë në Evropë. Llapi luan hapur dhe pres një sfidë me shumë aksione dhe futboll të bukur për shikuesit”, ka thënë para ndeshjes Lapidar Lladrovci për gazetën “Zëri”.

Momentalisht Llapi ndodhet e gjata me 25 pikë, kurse Feronikeli zë pozitën e pestë me 28 sosh.

 

IPKO-SUPERLIGA

Java e 19-të

E premte

Vushtrria – Drita 2:3

E shtunë

Llapi – Feronikeli

Drenica – Prishtina

E diel

Ballkani – Ferizaj

Gjilani – Flamurtari

Trepça ’89 – Dukagjini

Tabela

1. Drita 19 37

2. FC Ballkani 18 37

3. Prishtina 18 34

4. Gjilani 18 32

5. Feronikeli 18 28

6. Llapi 18 25

7. Drenica 18 24

8. Trepça ’89 18 23

9. Flamurtari 18 22

10. Ferizaj 18 19

11. Vushtrria 19 15

12. Dukagjini 18 9

(Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00). /Zëri.info