De Biasi analizon Serinë A, flet për luftën për titull

De Biasi analizon Serinë A, flet për luftën për titull

Sport February 20, 2020 - 21:28
Lajmet e fundit nga sporti

Gianni De Biasi gjatë një interviste për një stacion radiofonik në Napoli ka bërë një analizë të Serisë A duke mos ngurruar të shpjegojë edhe pikëpamjet e tij. 

Mendoni se në fund diferencën do ta bëjë pankina e gjatë e Juventusit? 

"Potenciali i ekipit të Sarrit është i një niveli shumë të lartë dhe që skuadra është më e forta në Itali, as që diskutohet. Lazio ka një organikë të strukturuar mirë dhe me mekanizma të konsoliduar ndër vite sepse lojtarët kanë kohë që luajnë nën urdhrat e Simone Inzaghit. Bardhekaltrit përforcohen çdo vit dhe nëse sivjet iu bashkua Laxari, kanë rigjetur edhe Milinkovic-Savicin që është rikthyer në nivelet e dikurshme. Edhe Immobile që nuk po ndalet ka ndikimin e tij, siç e ka dyshja që ai formon me Caicedon", transmeton "Panorama Sport".

 Sipas jush, cila është favorite për kampionatin? 

"Juvja është favorite dhe siç thashë, Lacio po bën gjëra të jashtëzakonshme, aq më tepër që ka më pak presion se bardhezinjtë apo Interi".

Flitet gjithmonë për ekipet e mëdha, por doja të dija mendimin tuaj për Veronën? 

"Juric ka shumë përvojë dhe për disa vite ka qenë zëvendës i Gasperinit. Te Genoa puna ndikohej nga mungesa e cilësisë në ekip teksa te Verona gjeti lojtarë të panjohur, por shumë interesantë. Trajneri ka për detyrë të marrë më të mirën nga grupi dhe jo më kot Verona ka të njëjtën sasi pikësh me Milanin".

Keni qenë trajner i Shqipërisë duke e çuar deri në Europianin e 2016-ës. Cili ka qenë lojtari më i mirë në skuadër dhe nëse nuk ka qenë Hysaj, cili është opinioni juaj për mbrojtësin shqiptar të Napolit? 

"Pa dyshim që Hysaj ishte ndër elementët më të rëndësishëm të asaj skuadre, por mos më kërkoni të bëj renditje të tilla. Ajo ishte një skuadër ku lojtarët e ndihmonin njëritjetrin edhe jashtë fushe. Për djemtë nuk kishte rëndësi kush luante, teksa unë zgjidhja në bazë të formës fizike të gjithsecilit. Bëmë diçka të madhe dhe unike duke kaluar fazën eliminatore e duke luajtur në Evropian".