Kampioni mposhtet në Madrid, Dortmundi triumfon ndaj PSG-së

Kampioni mposhtet në Madrid, Dortmundi triumfon ndaj PSG-së

Sport February 18, 2020 - 22:52

Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Liverpooli është mposhtur në udhëtim te Atletico Madridi në ndeshjen e parë të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve, shkruan zeri.info

Madrilenët triumfuan ndaj “të kuqve” me rezultatin minimal 1:0.

Vendasit arritën të kalojnë shumë shpejt në epërsi, derisa shënuan qysh në minutën e katërt me anë të Saul Niguezit.

Në vazhdim të pjesës së parë asnjëra prej skuadrave nuk arriti të krijojë ndonjë rast të mirë për shënim dhe rezultati nuk ndryshoi.

Në pjesën e dytë ekipi i Jurgen Kloppi provoi të bëjë diçka më shumë në fazën sulmuese, por nuk arrinte dot ta thyente mbrojtjen e vendasve.

Pavarësisht posedimit më të lartë të topit klubi anglez nuk arriti të krijonte ndonjë rast të rrezikshëm në portën e kundërshtarëve dhe fitorja i takoi madrilenëve.

Ndërkohë, në takimin tjetër Borussia Dortmundi arriti të triumfonte ndaj Paris Saint-Germainit me shifrat 2:1.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, derisa Erling Haaland e kaloi klubin gjerman në epërsi në minutën e 69-të.

Pas vetëm gjashtë minutash parisienët arritën që ta barazonin rezultatin në 1:1 me anë të Neymarit (75’).

Por, gëzimi i barazimit për mysafirët zgjati shumë pak pasi ishte sërish Haaland, i cili ia riktheu epërsinë vendasve në minutën e 77-të, duke e vulosur triumfin e gjermanëve.

Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 11 mars./Zëri