Rikthehen ethet e Ligës së Kampionëve

Rikthehen ethet e Ligës së Kampionëve

Sport February 18, 2020 - 16:28
Lajmet e fundit nga sporti

Sonte do të rikthehen emocionet e Ligës së Kampionëve, derisa kompeticioni më prestigjioz evropian për klube do të hyjë në fazën nokaut të tij. E marta do të sjellë dy takime mjaft interesante të së tetës së finales, derisa vëmendja pa dyshim se do të jetë kah Madridi, aty ku kampioni në fuqi Liverpooli do të udhëtojë te Atletico Madridi.

“Të kuqtë” kërkojnë titullin e dytë radhazi në Evropë, derisa janë duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme këtë edicion dhe në Premierligë kanë krijuar një epërsi prej 25 pikëve kundrejt vendit të dytë.

Ndërkohë Atletico është duke përjetuar një edicion të luhatshëm dhe momentalisht zë vetëm vendin e katërt në ligën spanjolle. Jurgen Klopp do të jetë në këtë takim pa Xherdan Shaqirin dhe Nathaniel Clynen, të cilët janë të lënduar.

Në anën tjetër te Atletico do të mungojnë Kieran Trippier dhe Dario Poveda, kurse në dyshim janë Hector Herrera dhe Diego Costa.

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë se ka mjaft ngjashmëri mes ekipit të tij dhe Atletico Madridit. “Goldallimi i tyre (në La Liga) është se kanë shënuar 25 që nuk janë shumë, por kanë pranuar vetëm 17, që janë pak. Ata kanë pasur telashe të mëdha me lëndimet në javët e fundit, me shumë mungesa në sulm. Por Morata ishte në bankë (ndaj Valencias të premten), kam dëgjuar se Costa është kthyer në stërvitje dhe se Joao Felix është i gatshëm, jam mjaft i sigurt”, është shprehur Klopp.

“Nëse dikush mund të luajë për një rezultat, është Atletico. Zoti Simeone, të cilin e respektoj shumë, ai provon gjithçka. Ne kemi histori paksa të ngjashme. Ne provuam shumë dhe nuk fituam, por sërish provuam. Më pëlqen kjo. Ai është aq shumë garues. Në fakt, ne kemi një marrëdhënie të mirë, por jam shumë i sigurt se ai do ta harrojë këtë në fushë, sepse ai është aq i gjallë”, ka thënë strategu gjerman.

Ndërkohë ndeshje mjaft interesante pritet të zhvillohet edhe në Gjermani mes Borussia Dortmundit dhe Paris Saint-Germainit. Klubi gjerman ka ditur të jetë shpeshherë i rrezikshëm për rivalët e tij në Ligën e Kampionëve, kurse klubi parisien do të kërkojë që të marrë një rezultat sa më të favorshëm në udhëtim derisa prej vitesh janë në kërkim të titullit të parë në këtë kompeticion.

Liga e Kampionëve

E teta e finales

E martë 

21:00 A. Madrid – Liverpool           

21:00 B. Dortmund – PSG