Kosova me katër skuadra në garat ndërkombëtare, ky është apeli i Rafet Prekazit

Kosova me katër skuadra në garat ndërkombëtare, ky është apeli i Rafet Prekazit

Sport January 27, 2020 - 11:51
Kosova në Evropë deri tash ka marrë pjesë vetëm me 2 skuadra, kampioni dhe fituesi i Kupës, ndërsa këtë vit në Evropë pritet të përfaqësohen tri ekipe: kampioni, fituesi i Kupës dhe skuadra e dytë në tabelë, derisa vitin e ardhshëm ky numër pritet të rritet në katër skuadra

Ndryshimet e fundit që i ka bërë UEFA në formatin e garave, duke e sjellë edhe një kompeticion të ri si Liga e Konferencës, është një lajm shumë i mirë për klubet e Kosovës të cilat pritet që në edicionin 2021 - 2022 ta rrisin numrin e pjesëmarrjeve në garat ndërkombëtare. Këtë e ka konfirmua sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, në një bisedë për gazetën “Zëri”.

Salihu, ka thënë se ky ndryshim është i mirëseardhur për federatat e vogla, në këtë rast për Kosovën e cila mund të përfaqësohet me 4 deri në 5 ekipe. “Është një lajm shumë i mirë, pasi është një mundësi shtesë për federatat e vogla sikur ne në këtë rast”, ka thënë Salihu për gazetën “Zëri”, duke shtuar se kjo ndikon shumë në rritjen e nivelit të garave.

“Paramendo nga 10 ekipe sa marrin pjesë në Superligë, katër sosh do të garojnë në arenën ndërkombëtare e ndoshta edhe pesë. Pra është një mundësi e shkëlqyer për klubet tona”, ka thënë duke konfirmuar se sivjet në Evropë do të dalin tri klube.

Të kujtojmë se deri tash nga Kosova në Evropë kanë marrë pjesë vetëm 2 skuadra, kampioni dhe fituesi i Kupës, ndërsa këtë vit në Evropë pritet të përfaqësohen tri ekipe: kampioni, fituesi i Kupës dhe skuadra e dytë në tabelë, derisa vitin e ardhshëm ky numër pritet të rritet në katër skuadra, madje FFK-ja nuk e përjashton mundësinë edhe me 5 skuadra të përfaqësohet në Evropë.

Prekazi: Kjo na obligon ta ngremë nivelin e futbollit

Për përzgjedhësin e Kosovës U21, Rafet Prekazi, rritja e numrit të klubeve për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare është një lajm shumë i mirëseardhur, por sigurisht se ka edhe koston e vet pasi klubet duhet t’i rrisin shpenzimet për ta ngritur cilësinë, por edhe për ta rregulluar infrastrukturën sportive. “Është për përparimin e futbollit dhe motiv i madh për skuadrat e shteteve të vogla, që nuk kanë rast të dalin në Evropë. Kjo është një punë e madhe për shtetin e Kosovës, pasi duhen investime dhe me siguri se edhe cilësia duhet të ngrihet”, ka thënë Prekazi për gazetën “Zëri” duke shtuar: “Deshëm ose nuk deshëm ne obligohemi të gjithë në Kosovë që të ketë ngritje të cilësisë, si dhe rregullimin e fushave e të stadiumeve sepse dihen që rregullat në UEFA janë siç janë dhe këto vetëm se të gjithëve në Kosovë na shtyjnë të mendojmë dhe të punojmë shumë për t’u prezantuar sa më mirë me ekipet tona”, ka përfunduar Rafet Prekazi. /Zëri.info