Ofertë nga Irani, zbardhet kontrata në duart e Gianni De Biasit

Ofertë nga Irani, zbardhet kontrata në duart e Gianni De Biasit

Sport January 23, 2020 - 15:55

Gianni De Biasi shumë shpejt mund të jetë në krye të një ekipi kombëtar. Së fundmi, ish-trajneri i Kombëtares ka marrë një propozim konkret dhe ka në duar një ofertë për të cilën ka pak kohë që të mendohet dhe të vendosë. Nga ajo që bëhet me dije në mediat italiane, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare është në planet e përfaqësueses së Iranit për të cilën duhet të vendosë brenda 48 orëve të ardhshme.

OFERTA

Ka qenë faqja e specializuar “Gialucadimarzio” që ka bërë me dije edhe ofertën në adresë të Xhani De Biazit. Bëhet me dije se ish-trajnerit të Shqipërisë i është ofruar një kontratë prej 30 muajsh, pra dy vite e gjysmë. E gjithë kjo, me synimin e qartë Botërorin e Katarit në 2022- shin.

Gianni De Biasi, prej kohësh është pa një angazhim në lidhje me drejtimin e një ekipi futbolli. Italiani është përfolur shpesh për oferta edhe në Serinë A, ku ndër të fundit ishte skuadra e SPAL-it e cila i ofroi De Biazit marrjen e drejtimit, të paktën deri në fund të sezonit.

Synimi dhe objektivi i ekipit ku luan Etrit Berisha, është qëndrimi në Serinë A, edhe pse gjendet në pozita shumë të vështira. Pak kohë më parë, në Iran ka drejtuar një tjetër trajner italian. Andrea Stramaçoni ishte trajneri i skuadrës së Estegalit, prej së cilës u largua pak kohë më parë për shkak edhe të problemeve të shumta që hasi në këtë skuadër.