Numri i biletave për 'Dardanët' në ndeshjen Maqedoni e Veriut - Kosovë, Agim Ademi e sqaron situatën

Numri i biletave për 'Dardanët' në ndeshjen Maqedoni e Veriut - Kosovë, Agim Ademi e sqaron situatën

Sport January 22, 2020 - 09:48

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, ndihmëstrajneri i Kosovës Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala zhvilluan një takim pune me presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut Muhamed Sejdinin, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë takim Ademi dhe homologu i tij Sejdini diskutuan për t’i koordinuar veprimet për organizim sa më të mirë të ndeshjes gjysmëfinale të “Play-Off”-it për Kampionatin Evropian, i cili zhvillohet më 26 mars mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, shkruan Zëri.info.

Njeriu i parë i futbollit në Kosovë kërkoi nga homologu i tij të bëjë maksimumin për ta rritur numrin e biletave, që do të jenë në dispozicion për shikuesit nga Kosova.

Image

Të dy presidentet dhe bashkëpunëtorët e tyre diskutuan edhe për specifikat tjera teknike, për organizimin e ndeshjes, si dhe për mundësi të ndryshme për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy federatave.

Në një bisedë për gazetën “Zëri” Agim Ademi ka folur më gjatë për takimin e së hënës me Sejdinin, të cilit ia ka shpalosur kërkesën për rritjen e numrit të biletave për “Dardanët”.

Në mes të tjerash Ademi është shprehur optimist se kjo kërkesë do të aprovohet nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

“Në takim me kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriut, Muhamed Sejdini, kemi biseduar për çështjet organizative të ndeshjes në mars, si dhe për çështjen e biletave, pjesën ku do të qëndrojnë tifozët tanë, si dhe çdo tifoz do ta ketë emrin e vet, gjë e cila do të na bëhet të ditur me anë të një liste”, ka thënë fillimisht Agim Ademi për gazetën “Zëri”, duke thënë se shpreson shumë që numri i biletave për tifozët kosovarë do të jetë më shumë se 5 për qind:

Image

“Për kërkesën tonë të rritjes së numrit të biletave, Sejdini do të diskutojë me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Shpresojmë se do të ketë numër më të madh të biletave për tifozët tanë. Gjithashtu kemi biseduar edhe për sigurinë në këtë ndeshje. Ne na takon 5-përqindëshi i biletave, por sigurisht se do të jenë më shumë. Kërkesat tona janë më të mëdha dhe duam të marrim sa më shumë bileta që të jetë e mundur”./Zëri.info