Historia e faulleve profesionale: Prej Willie Youngut e deri te Federico Valverde

Historia e faulleve profesionale: Prej Willie Youngut e deri te Federico Valverde

Sport January 21, 2020 - 17:19

Kartoni i kuq i treguar për Federico Valverden në finalen e Superkupës së Spanjës ishte i ngjashëm me atë të Willie Youngut në finalen e Kupës FA të para 40 vjetëve, por ndëshkimi nuk ishte i njëjtë për të dy. Madje për shkak të Youngut ishte hapur debati për ndëshkimin më të rëndë të futbollistëve, që shkaktojnë faulle profesionale, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Kur sulmuesi i Atletico Madridit Alvaro Morata ishte duke vrapuar drejt portës, kur kishin mbetur vetëm edhe pak minuta për t’u luajtur në finalen e Superkupës spanjolle, mesfushori i Real Madridit Federico Valverde e dinte se çfarë duhej të bënte. Futbolli ndryshon vazhdimisht, por ka gjithmonë vend për budallallëqet e vjetra. “Ishte një gjë të cilën nuk duhej ta kisha bërë. I kërkova falje Moratas, por ishte gjëja e vetme që mund të bëja, sepse ai është një lojtar shumë i shpejtë”, ka thënë Valverde.

Ndërhyrja e Valverdes mund të mos ketë qenë shpirti i lojës së drejtë, por doli të jetë e mirë për ekipin e tij. Ai u ndëshkua menjëherë me karton të kuq, por duke ndërhyrë ndaj Moratas, ai i ndihmoi bashkëlojtarët e tij të qëndrojnë në lojë dhe të luajnë me penallti. Real Madridi triumfoi në gjuajtjen e penalltive dhe Atletico mbeti duke menduar se si mund të kishte shkuar ndryshe. As trajneri i tyre nuk e fajësoi Valverden. “Unë i thashë atij se ai e bëri atë që duhej ta bënte në atë moment”, kishte deklaruar Diego Simeone pas ndeshjes, transmeton zeri.info

Ndërhyrja e zgjatur e Valverdes solli në kujtesë një faull të ngjashëm cinik, që ishte bërë para 40 vjetësh në një finale të Kupës FA. Ajo ndërhyrje ia kishte mohuar një djaloshi të ri shansin për një gol të famshëm në “Wembley” dhe gjithashtu ka ndikuar në ndryshimin e rregullave të lojës që janë edhe sot.

Lexo edhe Dikur bënte milionat në NBA, sot është i pastrehë dhe po rrihet brutalisht në rrugë
Sport January 21, 2020

Finalja e Kupës FA në vitin 1980 nuk ishte duke shkuar sipas planeve. West Hami, që atëkohë ishte në kategorinë e dytë, kishte kaluar herët në epërsi përmes golit me kokë të Trevor Brookingut dhe Arsenali – që ishte kualifikuar në finale pas katër ndeshjeve rraskapitëse ndaj Liverpoolit në gjysmëfinale – thjesht mbeti pa ide. Pastaj erdhi shansi që West Hami ta mbyllë ndeshjen dhe t’i afrohet triumfit.

Një ekip i rraskapitur i Arsenalit, që luante ndeshjen e 67-të të edicionit, arriti ta barazojë rezultatin, derisa mesfushori 17-vjeçar i West Hamit, Paul Allen, e gjeti veten përpara portës me vetëm Pat Jenningsonin për t’u mposhtur. Allen, lojtari më i ri që kishte luajtur në një finale të Kupës FA në atëkohë, ishte gati për ta kompletuar përrallën e tij futbollistike. Por Willie Young kishte ide të tjera.

Young kishte formuar një partneritet të mirë me David O’Learyn në qendër të mbrojtjes të Arsenalit, por do të ishte e drejtë që skocezi të përshkruhej si një mbrojtës i pakompromis. Derisa Allen po vraponte drejt portës së Arsenalit në minutën e 87-të, Young vendosi ta demonstrojë qasjen e tij të lojës. “Paul kishte kaluar rreth 18 metra jashtë zonës”, kujton Young në librin e Jon Spurlingut “Rebels for the Cause” (“Rebelët për kauzën”). “Unë kisha më pak se një sekondë për ta ndarë mendjen. Ose ai me gjasë do të kishte shënuar, ose unë do të kisha shansin së paku ta mbaja ekipin në penallti. Kështu që mendova: ‘Djalë, duhet ta bësh’. Unë isha një mbrojtës dhe mbrojta. Nuk ishte një faull brutal. Unë thjesht ia preka këmbën dhe ai u rrëzuar. Paul nuk e mori për keq dhe tha: ‘Unë do ta bëja të njëjtën’, njeri i madh. Unë s’humbas kurrë gjumë për këtë’”, ka shtuar ai.

Tifozi i Arsenalit, Nick Hornby, e shkoi këtë në “Fever Pitch” (“Ethet e Fushës”), edhe pse ai ishte turpëruar nga ndërhyrja derisa qëndronte në “Wembley” “një pjesë e imja në fakt e shijoi faullin”. “Ishte shumë komike, paradoksalisht arsenalekse. Kush tjetër përveçse një mbrojtës i Arsenalit do ta rrëzonte një 17-vjeçar të vogël të akademisë?”.

Ndërhyrja e Youngut kishte hapur një debat kombëtar

Derisa rregullat e lojës bën që gjyqtari ta përjashtojë Valverden në finalen e Superkupës së Spanjës, një dënim i tillë nuk kishte ekzistuar më 1980-n. Gjyqtari në “Wembley”, George Courtney thjesht akordoi një gjuajtje të lirë për West Hamin dhe e ndëshkoi me karton të verdhë Youngun. Duke bërë kështu ai hapi një debat kombëtar. Dënimi i butë lindi idenë që futbolli kishte nevojë për një rregullore profesionale të faulleve. Edhe pse shumica e gazetave u përqendruan në fitoren e West Hamit dhe golin e rrallë të Brookingut, ato të gjitha e morën parasysh ndërhyrjen e Youngut. Disa e mbështetën atë, duke argumentuar se duhej fajësuar rregullorja e jo mbrojtësi. Të tjerët e quajtën një faull zhurmëmadh, të pabesë dhe cinik. Jeff Powell deklaronte se kishte krijuar një kujtesë të thartë për botën e futbollit. “Derisa faullet profesionale të lejohen, ato do të shkaktohen”, thuhej në të përditshmen “Mail”.

David Lacey shkroi në “The Guardian”: “Federata e Futbollit duhet ta marrë një konsideratë të vlefshme për të informuar gjyqtarët për përkrahjen e tyre që në edicionin e ardhshëm të përjashtohen ata që shkaktojnë faulle të tilla cinike, të pista, për të cilat kartonët e verdhë dhe gjuajtjet e lira nuk janë dënime adekuate”.

Kur Liga e Futbollit emëroi më pas një komitet për të konsideruar mënyra për ta bërë futbollin më interesant – me kryesuesin Jimmy Hill dhe me këshillat e Matt Busbyt dhe Bobby Charltonit – ata sugjeruan që lojtarët që bëjnë faulle profesionale të ndëshkohen me karton të kuq. Rregulli kishte hyrë në fuqi dy vjet më vonë. Ai ndryshim pa dyshim bëri që mbrojtësit kalkulues të frenohen, por siç tregoi Valverde, në sport enda ka vend për cinizëm të pastër. Së paku ai përfundoi në ekipin fitues. Young nuk e pati atë ngushëllim./Zëri