Rrëfimi interesant i agjentit të Amir Rrahmanit, pas transferimit të mbrojtësit prishtinas te Napoli

Rrëfimi interesant i agjentit të Amir Rrahmanit, pas transferimit të mbrojtësit prishtinas te Napoli

Sport January 21, 2020 - 14:03

Mbrojtësi prishtinas, Amir Rrahmani u zyrtarizua gjatë ditës së djeshme si përforcimi më i ri i gjigantit italian, Napoli.

Rrahmani, i cili karrierën e tij e nisi në ‘lloçin’ kosovar, arriti marrëveshje me Napolin, skuadër të cilës do t’i bashkohet në verë nga Hellas Verona për shumën e 14 milionë eurosh, shkruan Zëri.info.

Rrahmani u transferua në Serie A verën e vitit të kaluar nga Dinamo Zagrebi te Hellas Verona, dhe këtë edicion ka qenë shartues në të gjitha ndeshjet e skuadrës së Ivan Juric.

Adrian Aliaj, agjenti i futbollistit të Kosovës, është rrëfyer për ‘Radio Punto Nuovo’ pas transferimit të Rrahmanit te Napoli.

“Nuk e prisja interesimin e klubeve të mëdha për Amirin kaq shpejt. Kisha plane që ta zhvilloja atë te Verona, por ne nuk hezituam kur Napoli shfaqi interesim për të”, ka thënë fillimisht Aliaj.

“Para një klubi të tillë nuk mund të thuash ‘jo’. Për ne, si agjentë dhe për Amirin, është privilegj të jesh në një skuadër të tillë. Napoli po kalon në një transicion, dhe nuk do të jetë e lehtë. Nuk do të ketë probleme për lojtarin, ai do të arrijë në korrik dhe do të nis një aventurë të re”, tregon më tej agjenti i mbrojtësit prishtinas.

“Rruga e Amir Rrahmanit është e qartë. Ai erdhi nga Dinamo Zagrebi, një skuadër më e fortë se Verona, dhe Rrahmani është i lumtur dhe i motivuar. Kishte edhe klube tjera që e donin atë, por ne zgjodhëm Napolin”, theksoi Aliaj./Zëri.info