Shengyli: Këto klube meritojnë të drejtohen nga njerëz seriozë

Shengyli: Këto klube meritojnë të drejtohen nga njerëz seriozë

Sport January 21, 2020 - 09:55

Klubet emblemë në futbollin e Kosovës, si: Vëllaznimi i Gjakovës, Liria e Prizrenit dhe Besa e Pejës, nuk po shndritin si dikur. Këto klube që janë sinonim i futbollit kosovar së bashku edhe me Prishtinën e me Trepçën tash e disa vite po shëtisin pa sukses herë në Superligë e herë në Ligën e Parë. Trajnerë e ish-futbollistë thonë për gazetën “Zëri” se është mëkat që nuk po gjenden njerëzit e duhur për t’i vënë në binarë klubet nga Rrafshi i Dukagjinit, shkruan Zëri.info.

Futbollisti i parë shqiptar, i cili ka marrë pjesë në një kampionat botëror, është Ardian Kozniku. Ish-sulmuesi i mirënjohur me famë ndërkombëtare e fitoi medaljen e bronztë me Kroacinë në Botërorin e organizuar në Francë në vitin 1998. Gjakovari Kozniku e ka nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës në vitin 1979. Sot skuadra “Kuqezi” ndodhet në gjendje të mjerueshme. “Më dhemb zemra për gjendjen, në të cilën është Vëllaznimi. Gjithçka më lidh më Vëllaznimin, pasi edhe babai im e ka nisur dhe e ka përfunduar karrierën aty, vëllai dhe daja kanë luajtur për Vëllaznimin. Duhet thënë se talentet më të mëdha të futbollit nga Kosova kanë dalë nga Gjakova. Pa Vëllaznimin nuk ka hijeshi Superliga e Kosovës. Lutem dhe shpresoj se gjendja të rregullohet”, ka thënë Ardian Kozniku në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Historia e futbollit të Kosovës lidhet me klubet nga Rrafshi i Dukagjinit. Dikur klubet, si: Vëllaznimi, Liria e Prizrenit dhe Besa e Pejës i kanë dhënë shumë futbollit të Kosovës, atij shqiptar, por edhe atij evropian. Shumë futbollistë nga ky rajon kanë bërë karrierë në Evropë. Krahas Koznikut, te Vëllaznimi e ka nisur karrierën Besnik Hasi, kurse te Liria Kujtim Shala e Fatos Beqiraj te Besa.

Në vitet e fundit futbolli në këtë trevë të Kosovës ka rënë shumë. Sot dy komuna të vogla të Kosovës e përfaqësojnë këtë rajon në elitë. FC Ballkani dhe Dukagjini i Klinës janë kthyer në kohën kur regjioni, Rrafshi i Dukagjinit, ka përfaqësim fare të vogël në Superligë. Kështu Dukagjinit dhe Ballkanit të Suharekës u ka rënë barra për ta përfaqësuar denjësisht në Superligë rajonin e madh të Rrafshit të Dukagjinit. Besa e Vëllaznimi ishin pranë të kthehen në elitë (edicionin e kaluar), por i humbën ndeshjet e barazhit nga Gjilani e Trepça ’89. Liria ishte në elitë, por ra në Ligën e Parë. Dukagjini përfundoi edicionin në vendin e dytë në Ligën e Parë dhe kështu së bashku me Vushtrrinë u kthyen në elitë. Ballkani po korr suksese në elitë teksa në vjeshtë është shpallur kampion vjeshtor për dallim nga skuadra e Dukagjinit që pranverën në futbollin e Kosovës do ta nisë nga pozita e fundit.

Mungesën e Lirisë, të Vëllaznimit dhe të Besës në Superligë e ka vajtuar edhe trajneri prizrenas, Skënder Shengyli. “Më kujtohet si fëmijë që nga vitet e ’70-ta e pastaj edhe në të ’80-ta, rivaliteti i madh i cili ka qenë në mes këtyre klubeve. Sot po mungon një gjë e tillë në futboll”, nis bisedën për “Zërin” Skënder Shengyli.

Ish-trajneri i disa skuadrave kosovare i zbulon arsyet se pse ka ardhur një gjendje e tillë. “Klubet nuk e kanë pasur një menaxhim të mirë. Nëse ka ardhur një president, nuk i ka marrë njerëzit e duhur që marrin vesh në futboll, por i ka besuar filanit e fishekut. Nuk kanë bërë projekte afatgjate, por njëvjeçare dhe normalisht se kanë dështuar”, vlerësoi Shengyli.

Sipas tij, edhe nëse këto skuadra (Liria, Vëllaznimi dhe Besa) rikthehen në elitë, nuk duhet që të entuziazmohen. “Këto klube meritojnë të drejtohen nga njerëz seriozë, të cilët bëjnë projekte serioze për të arritur suksese në mënyrë që të luftojnë për trofe”, pohoi Skënder Shengyli.

Klubi i zemrës së Shengylit, Liria, do ta nisë pranverën në Ligën e Parë nga vendi i tretë me 26 pikë, dy më pak se lideri Besa./Zëri.info