‘Shpërthen’ Ardian Kozniku: Më dhemb zemra kur e shoh në këtë gjendje skuadrën kosovare

‘Shpërthen’ Ardian Kozniku: Më dhemb zemra kur e shoh në këtë gjendje skuadrën kosovare

Sport January 21, 2020 - 09:34

Futbollisti i parë shqiptar, i cili ka marrë pjesë në një kampionat botëror, është Ardian Kozniku.

Ish-sulmuesi i mirënjohur me famë ndërkombëtare e fitoi medaljen e bronztë me Kroacinë në Botërorin e organizuar në Francë në vitin 1998, shkruan Zëri.info.

Gjakovari Kozniku e ka nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës në vitin 1979. Sot skuadra “Kuqezi” ndodhet në gjendje të mjerueshme.

“Më dhemb zemra për gjendjen, në të cilën është Vëllaznimi. Gjithçka më lidh më Vëllaznimin, pasi edhe babai im e ka nisur dhe e ka përfunduar karrierën aty, vëllai dhe daja kanë luajtur për Vëllaznimin. Duhet thënë se talentet më të mëdha të futbollit nga Kosova kanë dalë nga Gjakova. Pa Vëllaznimin nuk ka hijeshi Superliga e Kosovës. Lutem dhe shpresoj se gjendja të rregullohet”, ka thënë Ardian Kozniku në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Historia e futbollit të Kosovës lidhet me klubet nga Rrafshi i Dukagjinit. Dikur klubet, si: Vëllaznimi, Liria e Prizrenit dhe Besa e Pejës i kanë dhënë shumë futbollit të Kosovës, atij shqiptar, por edhe atij evropian. Shumë futbollistë nga ky rajon kanë bërë karrierë në Evropë. Krahas Koznikut, te Vëllaznimi e ka nisur karrierën Besnik Hasi, kurse te Liria Kujtim Shala e Fatos Beqiraj te Besa.

Në vitet e fundit futbolli në këtë trevë të Kosovës ka rënë shumë. Sot dy komuna të vogla të Kosovës e përfaqësojnë këtë rajon në elitë. FC Ballkani dhe Dukagjini i Klinës janë kthyer në kohën kur regjioni, Rrafshi i Dukagjinit, ka përfaqësim fare të vogël në Superligë.

Kështu Dukagjinit dhe Ballkanit të Suharekës u ka rënë barra për ta përfaqësuar denjësisht në Superligë rajonin e madh të Rrafshit të Dukagjinit. Besa e Vëllaznimi ishin pranë të kthehen në elitë (edicionin e kaluar), por i humbën ndeshjet e barazhit nga Gjilani e Trepça ’89.

Liria ishte në elitë, por ra në Ligën e Parë. Dukagjini përfundoi edicionin në vendin e dytë në Ligën e Parë dhe kështu së bashku me Vushtrrinë u kthyen në elitë. Ballkani po korr suksese në elitë teksa në vjeshtë është shpallur kampion vjeshtor për dallim nga skuadra e Dukagjinit që pranverën në futbollin e Kosovës do ta nisë nga pozita e fundit./Zëri.info