Vushtrria ngrit flamurin e bardhë, 19 largime nga skuadra

Vushtrria ngrit flamurin e bardhë, 19 largime nga skuadra

Sport January 17, 2020 - 11:20
FC Vushtrria u rikthye në elitën e futbollit me shumë bujë, por duket se klubi nuk i ka bërë llogaritë si duhet pasi investimet e mëdha sikur i shkuan huq dhe tash skuadra vushtrriase ka hequr dorë nga mbijetesa e synimi i saj mbetet edicioni i ardhshëm, shkruan gazeta Zëri

Alush Gavazaj është futbollisti i radhës që ka vazhduar eksodin e largimeve nga skuadra e Vushtrrisë, e cila duket se po përjeton momente aspak të mira. Vushtrria u rikthye në elitën e futbollit me shumë bujë, por duket se klubi nuk i ka bërë llogaritë si duhet pasi pavarësisht investimeve të mëdha, ato shkuan dëm dhe tash skuadra vushtrriase sikur ka hequr dorë nga mbijetesa e synimi i saj mbetet garimi me gjenerata të reja.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i klubit vushtrrias Bajrush Kajtazi, i cili në një bisedë për gazetën “Zëri” ka thënë se objektiv i klubit do të jetë edicionin 2021 - 2022 dhe se fokusi i tyre në këtë kampionat do të jetë te moshat e reja.

Kajtazi: Tejkaluam buxhetin, rezultatet munguan

Vushtrria kampionatin e nisi shumë e mobilizuar. Ishte trajneri Bekim Shotani ai që mori ekipin dhe startoi në kampionat, por pas vetëm tri ndeshjeve u shkarkua për të ardhur trajner italiani Antonio Toma, i cili bëri bukur shumë investime por i dështuan keq dhe pas shtatë ndeshjeve të drejtuara ai largohet për t’ia besuar detyrën trajnerit Fitim Llapashtica. Këto investime të mëdha sikur ishin barrë e papërballueshme për kryetarin Bajrush Kajtazi, i cili e pranon se investimet sikur shkuan dëm. “Mungesa e rezultateve dhe tejkalimi i buxhetit të planifikuar ndikuan në ndryshimin e strategjisë. Në fakt që nga dita e parë objektivi ynë ka qenë dhe mbetet akademia e klubit. Ne gjithçka kemi filluar nga zeroja. Kur e kam marr ekipin kam qenë i gatshëm dhe në momentet e fundit kam realizuar disa përforcime”, ka thënë Kajtazi për gazetën “Zëri”, duke lënë të kuptohet se skuadra nuk i ka përmbushur pritshmëritë, pavarësisht se në të janë bërë bukur shumë investime.

Kajtazi për pranverë nuk ka premtuar përforcime derisa ka njoftuar se skuadra i ka nisur stërvitjet dhe me këtë fond që kanë do të vazhdojë. “Skuadra i ka nisur përgatitjet derisa synimet tona janë viti 2022 e tutje”, përfundoi Kajtazi.

Image

19 futbollistë të larguar

Plot 19 futbollistë janë larguar deri më tash nga Vushtrria që nënkupton komplet ekipi, gjë e cila nuk mbahet mend të ketë ndodhur me herët në klubet tona. Trajneri Fitim Llapashtica, i cili duket se do të jetë i vetmi nga garda e vjetër do ta vazhdojë punën me skuadrën që i ka mbetur duke u fokusuar kryesisht te lojtarët e rinj. Llapashtica ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se do të jetë pjesë e Vushtrrisë për stinorin pranveror.

Deri më tash nga klubi vushtrrias janë larguar: Dior Zabërgja, Alush Gavazaj, Qëndrim Gashi, Petrit Tahiri, Bashkim Shala, Ismet Caka, Bajram Zuqaku, Klevis Lushaku, Ledjon Mucaj, Jasmin Raboshta, Ian Agusto, Ygor Vinicius, Matheus De Paula, Kujtim Pantina, Rinor Karaqa, Etrit Halimi, Duat Maxhuni, Besfort Dervishaj, Djellon Dragusha. Kjo është dëshmia më e mirë se kjo skuadër, e cila stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e parafundit me 17 pikë të tubuara, ka hequr dorë nga lufta për mbijetesë dhe se synimi i saj mbetet zbulimi i ndonjë futbollisti të ri tek i cili mund të llogaritë në të ardhmen. /Zëri.info