Mediumi zviceran me rrëfim special për Edon Zhegrovën

Mediumi zviceran me rrëfim special për Edon Zhegrovën

Sport January 16, 2020 - 21:42
Detajet

Kur Edon Zhegrova tregon aftësitë e tij, nëna Sanije dhe babi Lulzim janë gjithmonë aty. Edhe në Marbella, shkruan mediumi zviceran “Blick”, transmeton zeri.info

Edon Zhegrova, super futbollisti teknik 20-vjeçar, është duke bërë atë që dëshiron më së shumti të bëjë në miqësoren ndaj Stuttgartit të hënën: ai driblon dhe bën truqet e tij.

Kur shkon përpara, ai është lojtari më i paparashikueshëm, më i guximshëm dhe më spektakolar në Superligën zvicerane. “Cirku Zhegrova”, “Njeriu i shfaqjeve” dhe “Fëmija i prapë”. Tifozët e duan.

Image

Problemi i tij: Në mbrojtje, shqiptaro-kosovari shumë herë i turpëron kolegët e tij mbrojtës me aksione të rrezikshme apo tërësisht harron që të mbrojë vetë. Anësori është pjesë e Baselit që prej shkurtit të kaluar dhe që prej shkurtit të kaluar ata provojnë që t’ia mësojnë zakonin mbrojtës të huazurit nga Genku.

“Ai ka punuar me veten dhe tash ka bërë progres”, thotë drejtori sportiv i Baselit, Ruedi Zbinden.

Xhaka e ndihmon Zhegrovën

Zhegrova duket se ngadalë është duke i mësuar taktikat e trajnerit Marcel Koller dhe tash ai e gjen veten në vendin e duhur në skuadër. Mbi të gjitha, Taulant Xhaka, që flet të njëjtën gjuhë, e ndihmon atë.

“Tauli kujdeset shumë mirë për të”, thotë Zbinden.

Sepse edhe pse Zhegrova ka lindur në Herford të Gjermanisë, ai nuk flet gjermanisht. Familja e tij është kthyer në Prishtinë pas luftës kur Edoni i vogël ishte vetëm 2-vjeçar.

Kur ai nënshkroi kontratë 3-vjeçare me Genkun në verë të 2017-s, nëna Sanije dhe babi Lulzim gjithashtu u shpërngulën në Hasselt të Belgjikës. Ndërkohë, familja Zhegrova thuajse jeton në Basel, derisa prindërit e vizitojnë shpesh djalin e tyre. Ata madje udhëtuan në Spanjë për kampin stërvitor.

“Morën pushime shtesë”

Zhegrova zëvendësohet ndaj Stuttgartit gjatë pushimit sepse ai ka dhimbje në gjoks. “Asgjë e rëndë”, thotë ai dhe përshendet prindërit e tij. “Ata morën pushime shtesë për të ardhur këtu”, shprehet ai duke qeshur.

Nëna e tij qesh afër tij. “Neve na pëlqen këtu”, shprehet Sanija.

“Padyshim që është mirë që prindërit e tij e vizitojnë shpesh”, thotë Zbinden.

Sa do të qëndrojë Zhegrova në Basel mbetet ende për t’u diskutuar. Kontrata e tij si i huazuar skadon në verë. Baseli ka kohë deri në maj për ta shfrytëzuar opsionin e blerjes.

Nëna dhe babi Zhegrova janë të mirëseardhur në Basel./Zëri