Planet me Trepçën ’89 dhe situata në FFK, rrëfehet Abedin Zeka

Planet me Trepçën ’89 dhe situata në FFK, rrëfehet Abedin Zeka

Sport December 11, 2019 - 08:17
Detajet

Trepça ’89 është njëra prej skuadrave, e cila ka zhvilluar futboll të bukur në stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës. Edicionin e ri skuadra mitrovicase e nisi me trajnerin Shpëtim Idrizin, legjendën e klubit, i cili u emërua trajner nga presidenti Abedin Zeka, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Meriton Bytyqi

Ndonëse i papërvojë, Idrizi arriti t’u krijojë vështirësi skuadrave që kanë synime të mëdha në kampionatin elitar kosovar këtë edicion. Pas 17 ndeshjeve të zhvilluara në Superligën e Kosovës, Trepça’89 ka arritur t’i largohet për katër pikë zonës së rrezikshme duke grumbulluar 23 pikë në stinorin vjeshtor.

Presidenti i klubit të Trepçës ’89, Abedin Zeka, në një bisedë me gazetën “Zëri” e ka konfirmuar Idrizin si trajner të ekipit edhe në pranverë. “Shpëtimi është kryetrajner i skuadrës. Ai do të vazhdojë të mbetet edhe më tej pjesë e Trepçës ’89”, ka thënë fillimisht Abedin Zeka.

Kur ka përfunduar stinori vjeshtor në futbollin e Kosovës, Trepça’89 ka filluar të mendojë për përforcimet që mund t’i bëjë në dimër. Zeka ka treguar se ’89-shi planifikon t’i transferojë dy ose tre futbollistë gjatë kësaj periudhe. “Po shikojmë të përforcohemi në afatin kalimtar dimëror. Mendojmë ta përforcojmë skuadrën me dy ose tri përforcime”, tregon më tej Abedin Zeka, i njohur ndryshe si “Beki”.

Hallakama e krijuar në Federatën e Futbollit të Kosovës ka trazuar opinionin e gjerë në Kosovë ditëve të fundit. Protagonisti i gjithë kësaj është ish-zëvendëssekretari, Arianit Ahmeti, i cili e ka publikuar kandidaturën e tij për të parin e FFK-së. Madje sipas Ahmetit, i cili është shkarkuar tashmë nga FFK-ja, kryetari aktual Agim Ademi ka mandat deri në janar të vitit 2020, pasi ai e ka vazhduar mandatin e lënë në gjysmë nga presidenti i ndjerë Fadil Vokrri.

Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Zëri.info” edhe Abedin Zeka, i pari i Trepçës’89. Zeka thotë se si me Ademin, ashtu edhe me Ahmetin ka raporte të mira, andaj nuk dëshiron ta komentojë situatën e krijuar në shtëpinë më të madhe të futbollit kosovar. “Nuk kam koment për këtë situatë. Si kryetarin Agim Ademin, ashtu edhe Arianit Ahmetin i kam miq të mirë, kështu që nuk dua të përzihem në këtë situatë. Nuk kam koment, nuk dua të përfshihem në gjithë këtë”, përfundoi Abedin Zeka.

Ai së bashku me presidentin e FC Prishtinës, Remzi Ejupi, janë dy donatorët më jetëgjatë në futbollin e Kosovës./Zëri.info