Sfida me Suedinë, mundësi e artë për lojtarët e Superligës

Sfida me Suedinë, mundësi e artë për lojtarët e Superligës

Sport December 11, 2019 - 08:10
Detajet

Federata e Futbollit e Kosovës ka dhënë detaje për miqësoren e parë të Kosovës për vitin 2020 ndaj Suedisë. Kjo do të jetë mundësia e artë për disa futbollistë të Superligës, të cilët do të ftohen për këtë takim, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ndeshjen e parë për vitin 2020 do ta zhvillojë ndaj Kombëtares së Suedisë. Sfida në fjalë është e karakterit miqësor dhe do të zhvillohet më 12 janar në Doha të Katarit.

Federata e Futbollit e Kosovës ka dhënë detaje për miqësoren përmes një konferencë për shtyp, në të cilën folën menaxheri i Përfaqësueses, Bajram Shala, dhe ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti.

Për shkak se kjo ndeshje miqësore do të zhvillohet jashtë kalendarit të UEFA-s për ndeshje kombëtare, futbollistët do të jenë të angazhuar me klubet e tyre dhe kjo ka ngjallur raportimet se trajneri Bernard Challandes do të ftojë lojtarë nga Superliga e Kosovës. Këto spekulime i nxiti edhe më shumë Bajram Shala në konferencën për shtyp, duke thënë se do t’u jepet mundësi edhe lojtarëve të tjerë përveç atyre kryesorë. “Federata ka tentuar të organizojë ndeshje të tilla, ku u jepet rast edhe lojtarëve të tjerë përveç atyre lojtarëve kryesorë. Ndeshja e Suedisë do të mbahet në vazhdën për t’i dhënë më shumë kohë shtabit teknik dhe lojtarëve”, tha Shala.

Ai ka folur edhe për mungesat e mëdha që pritet t’i ketë Kosova. “Është ndeshje që zhvillohet jashtë kalendarit të UEFA-s dhe shumica e lojtarëve do të kenë angazhime me klubet e tyre dhe nuk mund të gjejnë kohë për ndeshjen në janar. Trajnerët do të jenë në kontakt me ta pasi të definohet lista”, sqaroi Bajram Shala.

Miqësorja tjetër dhe përgatitjet

Shala zbuloi se para kësaj ndeshjeje në Katar do të realizojnë katër stërvitje, ndërsa tha se po punojnë që të realizojnë edhe një miqësore tjetër më 16 janar. Para se të zhvillohet kjo ndeshje Kosova do të mbajë stërvitje në Katar, ndërsa Shala ka komentuar edhe për spekulimet se Kosova do ta zhvillojë atje edhe një miqësore tjetër. “Do t’i kemi katër stërvitje. Për shkak të kushteve klimatike është shumë vështirë të punohet këtu dhe stërvitjet do të zhvillohen në Katar. Ka kontakte për të zhvilluar edhe një ndeshje miqësore, po nëse zhvillohet ndeshja tjetër do të jetë më 16 janar po njëherë e konfirmuar është vetëm ndeshja me Suedinë”, shtoi Shala.

Sahiti: Dyert janë të hapura edhe për lojtarët e Superligës

Ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, tha se kjo ndeshje miqësore po vjen në një kohë të papërshtatshme dhe se Kosova nuk e ka luksin t’i refuzojë klubet. “Kemi organizuar këtë ndeshje dhe do të jetë shumë e mirëseardhur edhe pse është një kohë e papërshtatshme se disa janë në pushim, por nuk kemi mundur ta refuzojmë këtë ndeshje. Tash jemi duke punuar rreth grumbullimit se cilët lojtarë do të na bashkohen. E para nuk është datë e UEFA-s dhe vështirë është të grumbullohen lojtarët e grupit A, por jemi duke biseduar me disa lojtarë që i kemi në shtetet skandinave dhe këto ditë po presim se cili lojtar do të na bashkohet nga jashtë”, theksoi Muharrem Sahiti, ndihmës i Bernard Challandesit.

Sahiti shtoi se dyert e Përfaqësueses do të jenë të hapura kësaj radhe edhe për lojtarët e Superligës. “Ne kemi vëzhguar edhe Superligën e Kosovës dhe kemi thënë gjithmonë se i kemi dyert e hapura për të gjithë futbollistët. Kontaktet i kemi edhe me Herolind Shalën, që të shohim ku është pas lëndimit”, shtoi Sahiti.

“Çdo ndeshje miqësore është e rëndësishme dhe gjithmonë përvoja përfitohet kur ke eksperienca me skuadra të forta”, përfundoi Sahiti.

Deri më tash të konfirmuar nga Superliga e Kosovës janë portieri i Prishtinës Visar Bekaj dhe treshja e Ballkanit, Blend Baftiu, Arbër Hoxha dhe Jetmir Topalli.

Kujtojmë se edhe Suedia nuk do të luajë me skuadrën e saj më të mirë ndaj Kosovës. Trajneri i Kombëtares së Suedisë, Janne Andersson, ka bërë të ditur se i zgjodhi 25 lojtarë më të panjohur për ndeshjen miqësore me Kosovën në janar për t’ua dhënë atyre një mundësi ta dëshmojnë veten para Kampionatit Evropian. “Është e zakonshme, nuk dua të them përzierje e madhe e lojtarëve, por pasi kemi marrë lojtarë nga Suedia, vendet nordike dhe liga ruse, mund të themi se e kemi një përzierje të këndshme”, ka thënë Anderssoni./Zëri.info