Zbulohet skandali me bileta i FFK-së

Zbulohet skandali me bileta i FFK-së

Sport December 10, 2019 - 08:11
Detajet

Ish-zëvendëssekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, ka dalë me akuza të reja ndaj Agim Ademit. Çështja e fundit e ngritur nga Ahmeti ka të bëjë me shitjen e biletave të ndeshjeve të përfaqësueses së Kosovës. Sipas Ahmetit, Agim Ademi ka manipuluar me shifrat e biletave, duke thënë se në ndeshjen me Anglinë kanë qenë në shitje rreth 9.000, kurse në fakt kanë qenë vetëm 2.939 sosh, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Akuza e kundërakuza. Beteja e ish-zëvendëssekretarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, me ish-shefin e tij nuk e ka ndërmend të ndalet, derisa ky i fundit ka zbuluar disa fakte të pathëna deri më tash në lidhje me shitjen e biletave për ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sipas Ahmetit, për ndeshjen e fundit të Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, atë ndaj Anglisë, janë shitur vetëm 2.939 bileta (15%) dhe jo 9.000 sa kishte deklaruar kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Ahmeti gjithashtu ka publikuar edhe një dokument, në të cilin shihen shifrat e biletave. Në këtë dokument shihet se për ndeshjen me Anglinë 7.783 bileta kanë qenë me porosi të FFK-së, falas janë dhënë 1.883 bileta, kurse të pashitura kanë mbetur 19 sosh. Ahmeti ka akuzuar direkt Ademin se ka manipuluar me shifrat e biletave. Në këtë dokument të publikuar nga Ahmeti gjithashtu përfshihen edhe ndeshjet e tjera të Kosovës, që janë luajtur në “Fadil Vokrri”. Në ndeshjen ndaj Malit të Zi online janë shitur 4.536 bileta (36%), ndaj Republikës Çeke 5.017 (40%), e kundër Bullgarisë 6.029, ose 48%. “Sa i përket problemit të biletave, në tri ndeshjet e fundit ka dezinformuar në lidhje me biletat e shitura online. Do t’jua argumentoj me fakte”, është shprehur Ahmeti. “Lënda është në Prokurori. Këto janë metodat e punës së Agim Ademit. Në dy ndeshjet e fundit kemi qenë në presion me kompaninë në fjalë, të cilën e ka linçuar, duke thënë se ma kanë thënë programin, gjë e cila nuk është fare e vërtetë. Djali që e ka menaxhuar kompaninë ka ndërruar jetë fatkeqësisht. Ka qenë një djalë i mirë dhe shumë profesionist, të cilit i kemi bërë presion. Në ndeshjen me Malin e Zi ka dashur që ta ndërpresë kontratën pikërisht për shkak të këqyre dezinformatave”, ka shtuar ish-zëvendëssekretari i FFK-së, i cili tash synon pozitën e të parit të Federatës. “Agim Ademi thotë se në sistemin ‘online’ shiten 90 për qind të biletave, ose 11 mijë, që nuk është e vërtetë. Në ndeshjen me Anglinë bileta online janë shitur 2939, që i bie 15 për qind. FFK-ja i ka porositur 7783. Falas janë dhënë 1883, kurse 19 bileta janë të pashitura. Totali është 12 mijë e 624. Ky dokument dhe shumë të tjerë janë në duar të krimeve ekonomike”, ka thënë ai.

Para ndeshjes me Anglinë Agim Ademi kishte deklaruar se kanë qenë në shitje plot 9.000 bileta. “Numri i saktë i biletave që dalin në shitje sillet nga 9800-1100, që do të thotë se afro 3 mijë vende janë të rezervuara”, ishte shprehur Ademi. Por këto shifra nuk përputhen me ato të prezantuara nga Ahmeti.

Në anën tjetër, kompania e kontraktuar për shitjen e biletave “Tiks.app” ende nuk ka dalë me ndonjë deklaratë pas këtyre akuzave të Ahmetit. Gjatë kohës që ishte paraparë shitja e biletave ndaj Anglisë “Tiks.app” kishte raportuar se sajti i tyre ishte sulmuar nga hakerët dhe se për atë arsye qasja për të siguruar një biletë ishte e pamundur. Qytetarët ishin në dijeni për interesimin e madh që do të ishte për ndeshjen me Anglinë, megjithatë kanë pasur edhe dyshimet e tyre për keqpërdorime. Prodhuesit e produktit “Tiks.app” janë arsyetuar me sulme kibernetike, çka e ka pamundësuar shitjen normale të biletave. Megjithatë, ata nuk kanë lënë pa kritikuar edhe mediet e persona të ndryshëm, që sipas tyre kanë publikuar materiale nxitëse, të cilat kanë ndikuar në tensionimin e situatës.

Salihu: Nuk flas më për këtë temë

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, nuk ka pranuar të flasë pas këtyre akuzave të reja të Ahmetit. “Unë nuk dua të flas më për këtë temë, për mua është e mbyllur kjo çështje”.

Ahmeti, përveç akuzës për mënyrën e shitjes së biletave, ka deklaruar se UEFA i ka kërkuar ngrirjen e postit ose dorëheqjen Ademit pas shpalljes së aktgjykimit ndaj tij. Madje ai ka thënë se në dijeni të kësaj kërkese të UEFA-s është edhe Salihu./Zëri.info