Ylli triumfon kundër Prizrenit

Ylli triumfon kundër Prizrenit

Sport December 08, 2019 - 19:33
Detajet

Golden Eagle Ylli ka fituar kundër Ponte Prizrenit me rezultat 94:86 (17:23, 30:20, 25:27, 22:16) në kuadër të javës së 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Takimi ishte shumë interesant deri në fund dhe me shumë kthesa në rezultat. Ndeshjen më mirë e nisën mysafirët që e fituan çerekun e parë 17:23, por në periodën e dytë rikthehen vendasit që fitojnë 30:20, duke shkuar në pushim me rezultat 47:43. Perioda e tretë ishte shumë e barabartë dhe përfundoi 25:27 për prizrenasit, duke e bërë ndeshjen shumë interesante. Sidoqoftë, në dhjetëminutëshin e fundit, Ylli nuk lëshoi pe, duke fituar 22:16 për të triumfuar në fund me rezultat 94:86, përcjell Zëri.info.

Te Golden Eagle Ylli u dalluan Samir Zekiqi me 29 pikë e 11 kërcime, Jameel McKay me 21 pikë e 12 kërcime dhe Altin Morina me 18 pikë, kurse te Ponte Prizreni u dalluan Malcom Canada me 30 pikë dhe Urim Zenelaj me 18 pikë dhe 21 kërcime.

Golden Eagle Ylli tani ka dhjetë fitore dhe tri humbje, kurse Ponte Prizreni ka tetë fitore dhe shtatë humbje./Zëri.info