Kjo është mbrojtja më e mirë dhe më dobët në Superligë

Kjo është mbrojtja më e mirë dhe më dobët në Superligë

Sport December 06, 2019 - 13:32
Detajet

Stinori i sivjetmë në elitën e futbollit kosovar ka sjellë një garë jashtëzakonisht interesante dhe krejtësisht të paparashikuar, shkruan Zëri.info.

Skuadrat, që në hapje të garave i treguan qartë objektivat e tyre, ku 6 prej tyre e synonin titullin dhe 6 të tjera mbijetesën.

Tash kur ka përfunduar pjesa e parë e kampionatit vetëm dy skuadra mund të thuhet se kanë dalë nga objektivat. Llapi që nuk ka shumë gjasa për titull dhe Dukagjini që duket se është dorëzuar në luftë për mbijetesë, të gjitha të tjerat janë brenda objektivave.

Por çfarë solli në fakt ky kampionat, këtë më së miri e deshifrojnë statistika. Ballkani që është lidere e tabelës, edhe mban primatin e skuadrës me më së shumti pikë të grumbulluara derisa edhe mban epitetin e skuadrës me futbollin më të bukur për sy të luajtur gjatë këtyre 17 javëve të zhvilluara. Plot 256 gola të shënuara e bëjnë këtë edicion të Superligës së Kosovës në futboll njërin nga më joshësit e pasluftës.

Mbrojtja më e mirë dhe më dobët

Derisa Ballkani mban epitetin e skuadrës më të mirë në shoqërinë elitë, skuadra që mban efikasitetin më të keq sa u përket golave të pranuara është Vushtrria. Skuadra e rikthyer në elitë në 17 ndeshje ka pranuar plot 34 gola me mesatare 2 gola për ndeshje. Kjo e bën skuadrën vushtrriase me mbrojtjen më të dobët. Pas saj është Flamurtari me 32 gola, ndërsa në pozitën e tretë duket e pabesueshme, por është Llapi që ka pranuar plot 29 gola. Epiteti i mbrojtjes më të mirë pa asnjë dyshim i takon skuadrës së Prishtinës, e cila ka pranuar më së paku gola se ekipet tjera. Vetëm 9 gola në 17 ndeshje e bëjnë skuadrën e Armend Dallkut më të pathyeshme në këtë gjysmëstinor. Mbrojtje shumë të mira ka pasur edhe Drita, që e mbyll vjeshtën me vetëm 11 gola të pranuara. Fitoren më të thellë këtë edicion e ka shënuar Feronikeli, që e ka mposhtur Ferizajn me rezultat 5:0. Ndërsa ndeshja që ka prodhuar më së shumti gola ishte ajo ndërmjet Ballkanit e Vushtrrisë, ku u shënuan plot 7 gola, 5:2 ishte rezultati përfundimtar në favor të Ballkanit. /Zëri.info