Sulmi më i mirë dhe më i dobët në gjysmëstinorin e Superligës

Sulmi më i mirë dhe më i dobët në gjysmëstinorin e Superligës

Sport December 06, 2019 - 13:29
Detajet

Stinori i sivjetmë në elitën e futbollit kosovar ka sjellë një garë jashtëzakonisht interesante dhe krejtësisht të paparashikuar, shkruan Zëri.info.

Skuadrat, që në hapje të garave i treguan qartë objektivat e tyre, ku 6 prej tyre e synonin titullin dhe 6 të tjera mbijetesën.

Tash kur ka përfunduar pjesa e parë e kampionatit vetëm dy skuadra mund të thuhet se kanë dalë nga objektivat. Llapi që nuk ka shumë gjasa për titull dhe Dukagjini që duket se është dorëzuar në luftë për mbijetesë, të gjitha të tjerat janë brenda objektivave.

Por çfarë solli në fakt ky kampionat, këtë më së miri e deshifrojnë statistika. Ballkani që është lidere e tabelës, edhe mban primatin e skuadrës me më së shumti pikë të grumbulluara derisa edhe mban epitetin e skuadrës me futbollin më të bukur për sy të luajtur gjatë këtyre 17 javëve të zhvilluara. Plot 256 gola të shënuara e bëjnë këtë edicion të Superligës së Kosovës në futboll njërin nga më joshësit e pasluftës.

Sulmi më i mirë dhe më i dobët

Askush nuk kishte besuar se një skuadër jo shumë e popullarizuar si Ballkani do të dimërojë në kryer të futbollit kosovar. Skuadra e Ismet Munishit la pas vetes ekipet si: Gjilani, Drita, Prishtina e Feronikeli, skuadra këto që në fillim ishin cilësuar si ekipe kryesore në luftë për titull. Sa i përket efikasitetit, Gjilani është skuadra me efikasitetin më të lartë, duke arritur ta gjejë portën plot 29 herë. Pas tyre vjen Feronikeli me 28 gola, ndërsa Ballkani, Drita dhe Llapi kanë nga 26 gola të shënuara. Kur jemi të efikasiteti duhet vlerësuar se Dukagjini, që edhe e mbyll tabelën në pozitën e fundit, ka efikasitetin më të dobët duke shënuar më së paku gola, gjithsej 6 gola në 17 ndeshje. Gjilani mund të cilësohet si skuadra me grupin më të mirë në sulm, pasi në krye të listës së shënuesve ka plot tre lojtarë. Përveç Prognit që ka 8 gola shumë efikas janë edhe Tomislav Busic dhe Fiton Hajdari me nga 6 gola. /Zëri.info