Meriton Korenica i FC Prishtina kërkon maksimumin ndaj Trepçës ’89

Meriton Korenica i FC Prishtina kërkon maksimumin ndaj Trepçës ’89

Sport November 22, 2019 - 17:39
Detajet

Pas pauzës së ndeshjeve të Përfaqësueseve, me ndeshjet e fundjavës vazhdon java e parafundit e stinorit vjeshtor, apo e 16-ta me radhë.

Prishtina do t’i pres të shtunën rivalët e Trepçës ’89, skuadër kjo të cilën Prishtina këtë edicion e ka mposhtur në “Riza Lushta” me rezultat 1:0.

Edhe pse “bardhekaltrit” renditen në pozitën e katërt me 27 pikë, shtatë më shumë se “minatorët” që renditen të tetë buzë pozitave të rrezikshme në klasifikim, ndeshja konsiderohet jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ku skuadra mitrovicase, pa marrë parasysh rezultatit, paraqitet përherë denjësisht ndaj Prishtinës.

Prishtina do të vuaj vetëm mungesën e mbrojtësit Ahmet Haliti, ndërsa në grumbullim rikthehen Leotrim Bekteshi dhe Gauthier Mankenda, ndërsa skuadra nuk ka mungesa të kartonëve.

Për takimin në fjalë ka folur mesfushori Meriton Korenica.

“Pas pushimit që kishim, besoj jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e radhës kundër një kundërshtari të fortë dhe të papërshtatshëm siç është Trepça ’89 e cila di të nxjerr shumë probleme. Megjithatë, duke e parë formën tonë të mirë, atmosferën e shkëlqyer në skuadër, por edhe me angazhimin siç e patëm në ndeshje me Llapin, besojmë se do të arrijmë t’i marrim pikët e plota çka do të na ndihmonte shumë në ecurinë pozitive deri në fund të stinorit”, ka thënë Meriton Korenica për “prishtinafc.com”, përcjell Zëri.info.

Sfida në fjalë do të zhvillohet nga ora 14:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /Zëri.info