Shorti për finalen e Ligës së Kombeve, Kosova mund të luajë në vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës, kjo është deklarata e Eroll Salihut

Shorti për finalen e Ligës së Kombeve, Kosova mund të luajë në vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës, kjo është deklarata e Eroll Salihut

Sport November 22, 2019 - 14:00
Zbuloni detajet

Kosova ka pasur fatin të fitojë grupin e vet në kuadër të Ligës D në Ligën e Kombeve, së bashku me Maqedoninë e Veriut, Bjellorusinë dhe Gjeorgjinë.

Pikërisht me fqinjin tonë, Maqedoninë e Veriut, Kosova do të përballet në gjysmëfinale, të cilën e zhvillon si mysafirë me 26 mars, ndërsa në po këtë ditë takimin do të zhvillojnë edhe Gjeorgjia me Bjellorusinë.

Finalja e madhe mes dy ekipeve që do t’i fitojnë gjysmëfinalet është vendosur tashmë pas hedhjes së shorit.

Fituesi i takimit në mes të Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë do ta pres finalen e madhe të Ligës D të Kombeve më 31 mars.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu shprehet shumë i pakënaqur me shortin në një bisedë për Zëri.info.

"Nuk jemi të kënaqur me shortin pasi që po të luanim në Prishtinë, do të ishte ndryshe. Tashmë duhet të ballafaqohemi me këto vende, gjithnjë nëse e kalojmë Maqedoninë e Veriut. Shpresoj shumë se lojtarët do të jenë mirë dhe duhet të luftojnë deri në fund", ka thënë Eroll Salihu për Zëri.info.

Image

Gjeorgjia dhe Bjellorusia janë vende që nuk e kanë njohur shtetin dhe pasaportat e Kosovës.

Salihu nuk pret që të ketë pengesa.

"Kemi kohë të mjaftueshme që të bisedojmë me federatat respektive edhe me UEFA-n për vizat e gjëra të tjera. Nuk pres që të kemi probleme", shtoi Eroll Salihu.

Kosova ishte e pafat në këtë short pasi pritjet ishin të mëdha që finalja të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Image

Nëse e arrin kualifikimin, kjo do të ishte arritje historike pasi do të ishte hera e parë që Kosova do të luajë në një Kampionat Evropian.

Ndryshe, ky Kampionat Evropian do të zhvillohet në 12 shtete të ndryshme të Evropës nga 12 qershori deri më 12 korrik të vitit 2020, ndërsa shorti për fazën e grupeve të EURO 2020 do të mbahet më 30 dhjetor të këtij viti. /Zëri.info