Prezantohet projekti për rinovimin e stadiumit 'Adem Jashari', pamje fenomenale

Prezantohet projekti për rinovimin e stadiumit 'Adem Jashari', pamje fenomenale

Sport November 15, 2019 - 16:17
Detajet

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, të premten ka pritur në një takim drejtorin e Departamentit të Sportit në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Iber Alaj, me të cilin kanë biseduar rreth projektit për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Në këtë takim ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Hysen Muzliukaj, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, zyrtarë nga drejtoria e Urbanizmit dhe Shërbimeve Publike, përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe hartues të këtij projektit.

Image

Gjatë këtij takimi përfaqësuesit nga MKRS-ja dhe hartuesit e projektit kanë prezantuar projektin madhor për renovimin e stadiumit “Adem Jashari”, i cili do të kushtojë mbi 12 milionë euro – thuhet në njoftim.

Image

Projekti parasheh rinovimin e tërësishëm të stadiumit, të ketë parking publik, parkingun për VIP, parkingun për media, park rekreativ, fushat tjera ndihmëse si dhe hapësirën për tifozët mysafir.

Sipas drejtorit të Departamentit të Sportit, Iber Alaj, stadiumi “Adem Jashari” nga kategoria 2 do të kalojë në kategorinë e 4 sipas rregullores UEFA dhe FIDIC, duke mundësuar kështu Përfaqësueses tonë të zhvilloj ndeshje zyrtare dhe ndërkombëtare.

Me këtë rast kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ofroi mbështetjen e tij të plotë në realizimin e këtij projekti, duke kryer të gjitha procedurat komunale, si dhe lirimin e pronave komunale, në mënyrë që të fillojnë punimet sa më shpejtë dhe të krijohen kushte sa më moderne për sportistët tanë.

Image

Image