I 'vodhi' golin e 300 Ronaldos, rrëfehet Ramsey: Ja çfarë i thash Ronaldos

I 'vodhi' golin e 300 Ronaldos, rrëfehet Ramsey: Ja çfarë i thash Ronaldos

Sport nëntor 08, 2019 - 21:41

I ardhur falas nga Arsenali, por me siguri një nga përforcimet më të goditura të Juventusit në merkaton e fundit dhe jo vetëm. Aron Ramsey i ka habitur të gjithë me përshtatjen e tij në futbollin italian, pavarësisht se për cilësitë nuk kishte qenë kurrë në diskutim.

Në një intervistë për “Daily Mail”, uellsiani ka folur pas ndeshjes me Lokomotivën, duke rrëfyer prapaskena interesante për golin që i “vodhi” Cristiano Ronaldos dhe jetën e tij brenda realitetit si futbollist i Juventusit.

Aron, çfarë ndodhi në rastin e golit kundër Lokomotivës?

Sinqerisht mendova se portieri ishte më pranë. Edhe pse gaboi në atë rast, kujtova se do të ndërhynte përsëri për të liruar zonën. Në atë moment instinkti më vuri poshtë dhe doja të isha i sigurt që topi do ta kapërcente vijën fatale. Me Ronaldon fola menjëherë pas golit, por edhe pas ndeshjes, madje i kërkova falje që i mohova kënaqësinë.

Sfidë aspak e lehtë me Lokomotivën që konfirmoi vlerat e treguara në takimin e Torinos…

Ishte një ndeshje e komplikuar. Ndaj Lokomotivës kam luajtur edhe më herët dhe asnjëherë nuk ka rezultuar një rival i lehtë, aq më tepër kur luajnë në fushën e tyre. Vetë Liga e Kampioneve nuk ka ndeshje të thjeshta, por ne treguam se dimë të shfrytëzojmë çdo mundësi duke e kërkuar golin deri në fund.

Këmbëngulje që Juves i ka dhuruar disa fitore në minutat e fundit…

Ishte pikërisht kjo dëshirë që na e shpërbleu mundimin tonë. Lokomotiva luajti shumë mirë, por ne ditëm t’i përballonim dhe më në fund morëm tri pikë të merituara.

Ndërkohë, Juventusi ka siguruar kualifikimin nga faza e grupeve…

Jemi të gjithë shumë të kënaqur, por kjo nuk do të thotë se puna jonë ka mbaruar. Përkundrazi. Ky ishte vetëm një nga objektivat që i kemi vendosur vetes në fillim të sezonit. Kemi ende shumë rrugë përpara sepse kualifikimi nuk na mjafton. Duam ta mbyllim këtë fazë të Champions-it në vendin e parë të grupit tonë.

Si ishte atmosfera në dhomat e zhveshjes?

Kualifikimi na ka lumturuar të gjithëve, sidomos për faktin sepse e kemi arritur dy ndeshje më herët. Të qenët të kualifikuar për fazën e 1/8- ave është një arritje shumë e rëndësishme që na mundëson të përqendrohemi në kampionat me më shumë qetësi.

E dini që goli juaj, përveç fitores, ishte i 300-ti për Juventusin në Ligën e Kampioneve?

Vërtet? Jo nuk e dija, por më shumë sesa për golin tim jam i lumtur për rezultatin e arritur në një fushë kaq të vështirë. Juventusi është një klub që ka histori të madhe në Champions. Unë uroj që sezoni të jetë i jashtëzakonshëm.