Onbashi: Ky trajner dhe kjo skuadër më ka befasuar për të mirë

Onbashi: Ky trajner dhe kjo skuadër më ka befasuar për të mirë

Sport nëntor 08, 2019 - 17:58

Superliga e Kosovës në futboll ka hyrë në një fazë vendimtare. Edhe pse janë zhvilluar 14 xhiro, dilemat vazhdojnë të mbesin shumë të mëdha sa i përket luftës për titull dhe asaj për mbijetesë. Ajo që më së shumti po vërehet është se asnjë skuadër nuk po mund ta mbajë një ritëm të vazhdueshëm.

Për ish futbollistin e mirënjohur, tash trajner Seidi Onbashi, ky start i garave po kalon me shumë oscilime dhe nuk po kemi ndonjë skuadër dominuese, shkruan Zëri.info.

“Mendoj se është një kampionat shumë interesant ku po kemi shumë ndeshje cilësore. Në letër po kemi favorit po në fushë nuk po dihet sepse ka edhe befasi. Është për tu lavdëruar ekipi i Ballkanit në krye me Ismet Munishin i cili ka bërë një skuadër të frikshme për kundërshtarë. E dimë që trajneri Ismet është një motivues po unë e vlerësoj edhe për punën që ka bërë dhe ofrimin e lojtarëve cilësorë të cilët edhe e kanë sjell Ballkanin deri te këto suksese”, ka thënë Onbashi për Zëri.info

“Sa i përket rokadave që po ndodhin në tabelë, mendoj se rol po luan motivimi. Ekipet që janë poshtë në tabelë kur po luajnë me ekipet që janë lart po motivohen me shumë ndërsa kur po luajnë mes vete nuk po është i njëjti motivim. Gjithsesi, kwtu po ndikon edhe cilësia, sepse ekipet ndoshta po kanë një 11-she të mirë por po ju mungon banka e rezervistëve kur kanë probleme me lëndime apo me kartonë”, ka vlerësuar tekniku mitrovicas i cili ka disa fjalë të mira për trajnerët e rinj.

“Për mua, te disa ekipe si te Feronikeli ka ndikuar shumë ndërrimi i shpeshtë i trajnerit këtë edicion. Këtë vit po shohim që disa klube kanë shpreh dëshirën t’ju japin rastin edhe trajnerëve të rinj si Prishtina Armend Dallkut, Trepça’ 89 Shpëtim Idrizit, Vushtrria Fitim Llapashticës. Mendoj që Idrizi nuk ka pasur edhe fat pasi që e dimë shumë pik ka humbur në çastet e fundi të ndeshjes. Një fakt tjetër që po më pëlqen në këtë kampionat është se gara është interesante dhe deri në fund nuk do të dihet kush do të jetë kampion dhe kush do të na përfaqësojë në Evropë. Sa i përket ngritjes së cilësisë, mendoj se është meritë edhe e klubeve të cilat kanë rritur të ardhurat për lojtar si pagat, premiat etj”, ka përfunduar Seidi Onbashi./Zëri.info