Zlatan Ibrahimoviq pritet të rikthehet te Milani për shumë arsye

Zlatan Ibrahimoviq pritet të rikthehet te Milani për shumë arsye

Sport nëntor 08, 2019 - 14:08
Detajet

Sulmuesi i LA Galaxy, Zlatan Ibrahimoviq, së shpejti do të ketë mundësi të kalojë në ndonjë klub të ri si transferim i lirë dhe Komisionari i MLS, Don Garber, ka konfirmuar se Milani është duke e rekrutuar atë.

38-vjeçari Zlatan Ibrahimovic i ka kaluar 18 muajt e fundit të karrierës së tij në MLS (Major League Soccer, liga e nivelit të parë të futbollit në SHBA), mirëpo kontrata e tij me LA Galaxy përfundon në dhjetor dhe ai është lidhur me një kthim në futbollin evropian.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Ibrahimoviq kishte luajtur për Milanin për dy sezone, para se të shkonte në Paris Saint-Germain në vitin 2012, dhe komisionari i MLS, Don Garber, ka lënë të kuptohet se një kthim është i mundshëm.

“Zlatan është një djalosh aq interesant. Ai m’i mban duart e mbushura dhe telefonin me plot mesazhe, por ai është një lojtar që të emocionon menjëherë”, ka thënë Garber, në një intervistë të dhënë për ESPN.

Tutje, Garber konfirmon interesimin e Milanit për sulmuesin boshnjak me nënshtetësi suedeze.

“Ti ke nevojë për lojtarë që dallohen nga të tjerët, siç kishte qenë edhe David Beckhami në fillimet e famës së MLS. Ai është një djalosh 38-vjeçar që po rekrutohet nga Milani, që është ndër klubet më të mëdha në botë”, konfirmoi Gerber.

Dëshira e Gerber për Ibrahimoviqin

Megjithatë, Garber nuk e ka përjashtuar mundësinë që suedezi të arrijë marrëveshje për të qëndruar edhe më tutje në Los Angeles.

“Ai ka thyer rekorde me numrin e golave që i ka shënuar në dy vitet e fundit dhe është emocionues si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Na ka mbajtur të zënë, por do të më pëlqente ta shihja këtu edhe më tutje”, shtoi Garber duke konfirmuar se me Zlatanin ka raporte të shkëlqyere.

“Por, kjo varet nga Los Angeles Galaxy. Unë i kam shijuar momentet e Zlatanit këtu, veçanërisht kur ai më flet mua në vetën e tretë”, përfundoi Gerber.

Ibrahimovic ishte emëruar në formacionin më të mirë të vitit 2019 dhe 2019 të MLS, pasi ka arritur t’i shënojë plot 53 gola.

38-vjeçari dëshiron të rikthehet në Evropë, ndërsa ka zgjuar interesimin e skuadrave si, Manchester United, Napoli dhe Bolognas.

Por, sipas asaj që raporton Tuttosport, Ibrahimovic e dëshiron rikthimin te Rossonerët dhe t’i ndihmojë që të rikthehen në Ligën e Kampionëve.

Ditë më parë edhe Paolo Maldini ka konfirmuar se rikthimi i Ibra Kadabras në San Siro do të ishte si një ëndërr e realizuar për ta për shumë arsye.