Salihu i kënaqur me organizimin e klubeve, por jo me qëndrueshmërinë financiare

Salihu i kënaqur me organizimin e klubeve, por jo me qëndrueshmërinë financiare

Sport October 23, 2019 - 11:21
Detajet

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, në një intervistë për gazetën “Zëri” është rrëfyer për shpërblimet ndaj Përfaqësueses së Kosovës, për nivelin e organizimit të ndeshjeve të “Dardanëve” dhe në Superligën e Kosovës. Ai flet edhe për incidentin e malazezëve, për qëndrueshmërinë financiare të klubeve të Kosovës dhe për kritikat ndaj gjyqtarëve, shkruan Zëri.info.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së të hënën ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit, Agim Ademi, në të cilën janë diskutuar shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi angazhimet dhe detyrat për trajnerë nëpër rajone për grup-moshat, që nuk janë në gara sipas programit “Elite YDP”, në mënyrë që të identifikohen dhe të trajtohen me profesionalizëm talentet e rinj të futbollit. Po ashtu u analizuan edhe sukseset e Përfaqësueses A të Kosovës, si dhe u përcaktuan kriteret e shpërblimeve për djelmoshat e Bernard Challandesit.

Anëtarët e KE-së analizuan edhe rrjedhën e deritashme të garave në të gjitha nivelet dhe konkurrencat, duke konstatuar se deri më tash ka një dinamikë dhe rrjedhë të garave të mirë, ku vërehet një organizim më i mirë i klubeve, forcim financiar i tyre, ngritje të cilësisë së lojës, të disiplinës dhe të frymës sportive.

Tutje, KE-ja shqyrtoi dhe përgatitjet për ndeshjet e radhës të Përfaqësueses A, të Përfaqësueses U-21, të Përfaqësueses A të Femrave dhe në futsall, derisa konstatoi se ato po shkojnë sipas planprogramit të paraparë, si dhe përgatitjet për manifestimet e fundvitit.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së, ka folur për gazetën “Zëri” për të gjitha pikat e diskutuara në mbledhjen e kaluar të Komitetit Ekzekutiv të shtëpisë më të madhe të futbollit në vend.

Duke folur për organizimin e klubeve të Superligës së Kosovës, Eroll Salihu, është ndalur t’i komentojë edhe tri çështje me rëndësi në futbollin tonë – nivelin e organizimit, infrastrukturën dhe qëndrueshmërinë financiare. Ai është shprehur i kënaqur me organizimin, por jo edhe me infrastrukturën e me qëndrueshmërinë financiare të klubeve.

“Ka filluar të ngrihet niveli organizativ, por problem mbetet infrastruktura. Por edhe aty është duke u punuar hap pas hapi, mos harroni jemi shteti më i varfër në Evropë. Duhet edhe shteti, edhe komunat përkatëse të ndihmojnë. Nuk jemi të kënaqur me qëndrueshmërinë financiare, por për fat të mirë tri klube shkojnë në Evropë edicionin e ardhshëm, ku do të kishte të ardhura të mjaftueshme financiare. Ndërsa për klubet tjera shpresojmë se do t’u ndihmojnë kompanitë e ndryshme për t’i kaluar vështirësitë, pasi edhe Ligji për Sponsorizim ua mundëson këtë. Edhe pse s’janë shuma të mëdha, është problem që një person ta mbajë një klub. Duhet të mblidhen njerëz me vullnet dhe me njohuri të futbollit që ta bëjnë këtë”, potencoi numri dy i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu për gazetën “Zëri”./Zëri.info