UEFA ia mori licencën, FFK heq dorë nga stadiumi i Kosovës

UEFA ia mori licencën, FFK heq dorë nga stadiumi i Kosovës

Sport tetor 09, 2019 - 21:53
Detajet

Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë ka mbetur nën mëshirën e fatit. Edhe pse ishin paralajmëruar investime për rinovimin e impiantit ato nuk kanë ndodhur dhe situata është përkeqësuar edhe më shumë, tashmë që Federata e Futbollit e Kosovës ka hequr dorë nga ky stadium.

Për shkak të kushteve të mjerueshme në këtë stadium, UEFA i ka hequr tashmë edhe licencën dhe asnjë ndeshje ndërkombëtare nuk mund të zhvillohet në këtë stadium.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendës-sekretari në Federatën e Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, i cili ka thënë se FFK tashmë është tërhequr nga stadiumi “Adem Jashari” pikërisht për shkak të neglizhencës së institucioneve.

 

“Duhet të jemi realist në diçka. Stadiumin “Adem Jashari” e kemi patur stadium të dytë, i cili ka qenë i licencuar tashmë më nuk e kemi atë licencë. Tashmë ne jemi tërhequr si Federatë sepse kemi pritur që nga janari të fillojnë punët për fillimin e rinovimit. Aty nuk filluan punët dhe ne tashmë e kemi vetëm stadiumin “Fadil Vokrri”, ka thënë fillimisht Ahmeti.

Ahmeti ka thënë gjithashtu se në muajin Mars, Kosova do të aplikojë për licencë në FIFA dhe me shumë mundësi do të kenë problem marrjen e tyre për shkak që tashmë e kanë vetëm një impiant “Fadil Vokrrin”, shkruan Gazetasheshi.com

“Ne duhet që të jemi në koordinim me institucionet tona që të marrim lejet/licencat e FIFA-s për objektet sportive. Vitin tjetër tri ekipe nga Superliga dalin në Evropë. Kemi Kosovën A, Kosovën U21 dhe ekipin A të femrave. Të gjitha këto të luajnë në vetëm një stadium është e pamundur”, ka shtuar Ahmeti.