Morina: Të mos nënvlerësohet Gjibraltari, nga kjo ndeshje ta nxjerrim më të mirë

Morina: Të mos nënvlerësohet Gjibraltari, nga kjo ndeshje ta nxjerrim më të mirë

Sport tetor 09, 2019 - 15:16
Detajet

Kosova nesër do ta zhvillojë ndeshjen miqësore me Gjibraltarin por duke e parë atmosferën në kampin e Përfaqësueses së Kosovës bën të kuptojmë se e gjithë vëmendja e lojtarëve është tek ndeshja e së hënën ku luajnë me Malin e Zi dhe sfida e së nesërmes sikur po nënvlerësohet, shkruan Zëri.info.

Megjithatë për trajnerin e mirënjohur, Arbnor Morina në asnjë mënyrë kjo ndeshje nuk duhet nënvlerësuar, përkundrazi duhet të nxirret më e mira nga kjo sfidë para ndeshjes me Malin e Zi.

“Secila ndeshje e ka peshën e vetë, dhe se asnjë kundërshtar nuk bën të nënvlerësohet. Sigurisht që selektori e dinë pse e ka caktuar këtë miqësore”, ka thënë Morina i cili pret që në këtë ndeshje minutazh të kenë disa futbollistë që nuk kanë luajtur shumë në fanellën e Kosovës.


”Unë mendoj që trajneri do t’ju jap minuta atyre që kanë luajtur më pak ose të provojë atë që mendon të luajë me Malin e Zi. Janë këto dy variante apo diçka që ndoshta na nuk dimë. Mendoj se mentaliteti fitues që është krijuar gjer më tani duhet të mbretërojë edhe në këtë takim sepse fryma e mentaliteti fitues janë shumë më rëndësi në grup dhe në kualifikime”, ka thënë Morina për Zëri.info i cili megjithatë e pranon se vëmendja është te ndeshja me Malin e Zi.

“Pa dyshim që ndeshja me Malin e Zi ka peshë të madhe sepse dëshirohet të vazhdohet me ritmin pozitiv”, ka përfunduar Arbnor Morina./Zëri.info

Image