“Gënjeshtrat” e Zidanet

“Gënjeshtrat” e Zidanet

Sport September 21, 2019 - 12:05

Sezoni i ri, Real Madridi i vjetër. “Zizu” mund t’i ketë ditët e numëruara në stolin e “Los Blancos”. Jose Mourinho është duke pritur me një këmbë që të rikthehet në stolin e Realit.


Real Madridi vazhdon të jetë po e njëjta skuadër siç ishte në sezonin 2018 - 2019, ku regjistroi rezultatet më të dobëta në histori të klubit. U premtua se do të ketë ndryshime dhe se do të ndërtohet një skuadër për të luftuar për trofe, por këtij Real Madridi momentalisht nuk ia ka frikën askush.
Zinedine Zidane u kthye si shpëtimtar, por as ai nuk po arrin të gjejë formulën e duhur për t’i këndellur 13 herë kampionët e Evropës. Në fakt, Zidane ka dhënë deklarata të ndryshme dhe të fuqishme me realitetin që është sot skuadra e trajnerit francez. Në vitin 2018, kur papritmas Zidane lajmëroi largimin, tha: “Skuadra s’mund të fitojë më me mua. Ekipi ka nevojë për ndryshim dhe unë patjetër se duhet të largohem sepse skuadra, po e përsëris, s’mund të fitojë më me mua”.
Zidane harroi këto fjalë në mars të vitit 2019, kur vendosi që pas shkarkimeve të Lopeteguit e Solarit të bëhet trajneri i tretë në një sezon për “Los Blancos”.


Sipas medieve spanjolle, “Zizu” gaboi me deklarata edhe në mars, edhe prill, ku vazhdimisht paralajmëronte: “Po, do të ketë ndryshime. Do të ketë largime dhe prurje të reja. Revolucion? Them se ekipi ka nevojë për ndryshime, do të ketë ndryshime”. Mirëpo, kur e shikon skuadrën e Madridit tani, ndryshimet kanë ardhur vetëm në stol dhe vetëm një në formacionin titullar. Klubi nuk ka blerë yjet e duhura për të bërë revolucionin që vërtet kishte nevojë Real Madridi. Courtois me shumë probleme e gabime arriti të mbijetojë dhe ta largojë Navasin, por statistikat e belgut janë të tmerrshme me “Los Blancos”, derisa ato të Navasit janë mbresëlënëse, por fatkeqësisht asnjëherë nuk u vlerësua ashtu siç e meritonte. Në mbrojtje Zidane ka po të njëjtit për formacionin e parë, kurse rezervë Militao është blerë 50 milionë euro dhe është larguar Vallejo, derisa Mendy është blerë po ashtu 50 milionë euro dhe është larguar Reguilon – 100 milionë euro shpenzime për dy lojtarë që do të luajnë vetëm atëherë kur ka mungesa për shkak të lëndimeve ose kartonëve, pasi “Zizu” u beson verbërisht Varanit, Ramosit e Marcelos. Në mesfushë “Zizu” nuk ka blerë asnjë lojtar, derisa ka kthyer James Rodriguezin dhe në të njëjtën kohë ka larguar nga ekipi Marcos Llorenten, Ceballos dhe përfundimisht Mateo Kovacicin që e shiti te Chelsea për 50 milionë euro pas huazimit në sezonin 2018 - 2019. Në sulm i vetmi galaktikë e blerë nga Madridi dhe që zë vend në 11-she, është Eden Hazard, që momentalisht – është larg formës që ka treguar për shumë vite te Chelsea. Reali ka blerë edhe dy lojtarë të tjerë në sulm, në fakt, duke parë paratë që ka shpenzuar është dashur ndoshta të jetë një superskuadër ose supersulm, por 110 milionë euro “Zizu” ka shpenzuar për rezervistë edhe në fazën ofensive, ashtu si në atë defensive. Janë blerë Jovic dhe 18-vjeçari brazilian Rodrygo. “Reali ka pasur nevojë për revolucion në formacion e jo në stol siç ka vepruar Zidane”, thonë analistë të shumtë të Spanjës.


 Kurse ish-presidenti i Real Madridit, Jorge Valdano, ka mbetur i habitur me merkaton e dobët që ka bërë Madridi, duke mos afruar të paktën dy mesfushorë, duke parë që problemi kryesor është në qendër të mesfushës, përveç sulmit që po vuan që nga largimi i Cristiano Ronaldos. Që tani në shtator, ende pa nisur mirë sezoni, për shkak të debaklit që Reali pësoi nga PSG-ja në Ligën e Kampionëve, kanë nisur zërat se Zidane mund të shkarkohet gjatë sezonit nëse rezultatet nuk ndryshojnë e që është pothuajse e pamundur me ekipin e varfër që Madridi ka në dispozicion.
Jose Mourinho është një ndër kandidatët kryesorë për ta marrë drejtimin e “Los Blancos” gjatë sezonit nëse Zidane nuk gjen formulën e duhur për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Kritika tashmë ka nga të katërta anët, sidomos pas vendimit për të mos u stërvitur këtë të enjte. Skuadra e ka pushim deri të premten, ani pse është dashur të mblidhen dhe të kërkojnë një zgjidhje për të dalë sa më parë nga kriza që ka kapluar po të njëjtën skuadër pothuajse që më 2016-n, 2017-n dhe 2018-n shkroi histori duke e fituar tri herë me radhë Ligën e Kampionëve.