Fundjavë e nxehtë në futbollin kosovar, vëmendja në Prishtinë

Fundjavë e nxehtë në futbollin kosovar, vëmendja në Prishtinë

Sport September 21, 2019 - 10:07
Detajet

E gjithë vëmendja këtë fundjavë do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, aty ku do të ndeshen Prishtina e Gjilani, dy rivalë këta bukur të mëdhenj.Për Prishtinën kjo ndeshje assesi nuk guxon të humbet, pasi do ta rrezikonte hapin në luftë për kreun e tabelës, derisa Gjilani drejt kryeqytetit udhëton me synime për ta ruajtur vazhdimësinë

Ejup Llumnica

Kjo fundjavë do t’i sjellë disa ndeshje tejet joshëse në Ipko Superligën e Kosovës në futboll, gjë e cila edhe bën të karakterizohet si njëra nga javët më interesante në këtë start të kampionatit.

Pa dyshim e gjithë vëmendja do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, aty ku të dielën, nga ora 20:00, do të ndeshen Prishtina e Gjilani, dy rivalë këta bukur të mëdhenj.
Për Prishtinën kjo ndeshje assesi nuk guxon të humbet, pasi do ta rrezikonte hapin në luftë për kreun e tabelës, derisa Gjilani drejt kryeqytetit udhëton me synime për ta ruajtur vazhdimësinë,shkruan gazeta Zëri. Ndeshje tejet interesante priten edhe në Gjilan, ku Drita e pret Trepçën ’89, e cila e nisi mirë garën, por në ndeshjet e fundit po gjen vështirësi. Kjo javë karakterizohet edhe me ballafaqimin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë, siç është ajo Ferizaj - Drenica. Një ndeshje me rivalitet do të jetë edhe mes Flamurtarit e Llapit, që zhvillohet në “Xhemail Ibishi” të Prishtinës.

Haliti: Gjilani në seri të mirë, por ne duam vetëm fitore

Mbrojtësi i Prishtinës, Ahmet Haliti, e pranon se skuadra ndihet paksa e liruar nga presioni, pas asaj fitoreje në mesjavë ndaj Trepçës ’89. Gjithsesi ai ballafaqimin me Gjilanin e cilëson si shumë të vështirë, por zgjidhje përveç fitores nuk kanë. “Mendoj që do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, pasi Gjilani vjen pas një serie shumë të mirë të rezultateve dhe ka një skuadër mjaft të mirë me emra të njohur në futbollin tonë dhe atë shqiptar, të cilët kanë një përvojë të madhe dhe cilësi shumë të mira individuale, kështu që duhet të kemi shumë kujdes. Ne duhet t’i qasemi takimit me shumë qetësi dhe të mos na kapë euforia, kështu që përmes lojës së bukur shpresoj që të arrijmë te një rezultat pozitiv, i cili për neve është shumë i rëndësishëm në këto momente”, ka thënë Haliti, duke shtuar se skuadra është duke e përgatitur maksimalisht mirë këtë ndeshje, pasi e dinë vlerën e saj. “Jemi duke u përgatitur maksimalisht, sepse e dimë rëndësinë e ndeshjes. Ne i dimë cilësitë tona dhe forcën tonë ekipore dhe atë individuale, kështu që besojmë te një rezultat pozitiv, i cili në këto kushte në të cilat gjendemi është vetëm fitorja”, ka thënë Haliti për gazetën “Zëri”.

Në anën tjetër tabori gjilanas, saktësisht kapiteni Ylber Kastrati, para ndeshjes ka preferuar heshtjen, duke mos u deklaruar për medie.

Image

Interesante edhe sfidat Flamurtari – Llapi e Drita – Trepça ’89

Drita, e cila tashmë ka hapur kandidaturën për titullin e kampionit para tifozëve të vet, do të luajë me Trepçën ’89, skuadër kjo që e nisi mirë garën, por në ndeshjet e fundit po has në vështirësi.

Mbrojtësi i Dritës, Liridon Leci, është i bindur se barazimi në Podujevë ndaj Llapit në mesjavë nuk do të ketë asnjë ndikim në sfidën e radhës. “Normalisht çdo ndeshje e ka vlerësimin e vet edhe duhet angazhim maksimal për t’i marrë pikët e plota. Ne luajmë në shtëpinë tonë para tifozëve tanë ‘Intelektualët’ dhe normalisht duhet ta fitojmë ndeshjen që të vazhdojmë rrugëtimin tonë, të cilin ia kemi vënë vetes. Ndeshja në Podujevë ka qenë një ndeshje shumë e mirë, shumë e luftuar nga të dyja ekipet. Ne kemi pasur shumë më shumë se Llapi, si nga rastet, ashtu edhe nga loja. Kemi krijuar shumë raste dhe kemi pasur një volum loje shumë të mirë. Nganjëherë edhe kur luan mirë ekipi nuk arrin të marrë pikë maksimale. Mirëpo kjo nuk duhet të na shqetësojë shumë, sepse kemi lojë të mirë, kemi superekip dhe nuk duhet të brengosemi fare. Por ajo ndeshje tashmë ka ikur dhe ne duhet të mendojmë për Trepçën ’89 dhe të marrim pikë të plota në këtë takim”, ka thënë për gazetën “Zëri” Liridon Leci.

Ndeshja për vëmendje do të jetë edhe ajo ndërmjet Flamurtarit e Llapit, dy skuadra që dinë të tregojnë futboll të bukur, derisa me shumë kureshtje pritet reagimi i Ballkanit, pas humbjes në fundjavë ndaj Gjilanit. Ballkani ndeshet me Vushtrrinë, e cila assesi nuk guxon të humbasë pikë./Zeri.info