FFK-ja nuk ka rregullore, e cila i ndalon klubet për reklama në fanella

FFK-ja nuk ka rregullore, e cila i ndalon klubet për reklama në fanella

Sport September 20, 2019 - 09:53

Kuvendi i Republikës së Kosovës me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim më 28 mars të këtij viti mori vendim për ta shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit. Kësisoj Kuvendi ka vendosur t’i mbyllë të gjitha lojërat e fatit në vend, duke përfshirë Lotarinë e Kosovës dhe bastoret. Megjithatë kur kanë kaluar shtatë muaj nga ky vendim, njëra nga skuadrat e Superligës së Kosovës në futboll, Trepça’89, vazhdon që në fanellat e saj ta reklamojë bastoren “Toto Sport”, biznes ky i ndalur me ligj në Kosovë.

Federata e Futbollit e Kosovës është e njoftuar për çështjen e reklamimit të bizneseve të ndaluara siç janë në këtë rast bastoret, por sipas sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu, FFK-ja nuk ka ndonjë ligj që i ndalon reklamimet në fanella, derisa për rastin konkret “Toto Sport”-i në fanellën e Trepçës ’89 ka thënë se janë fanella të vjetra dhe klubi nuk ka mundësi ndërrimi tash për tash.

“Ne momentalisht nuk kemi asnjë nen ose ligj, i cili ua ndalon klubeve reklamimet nëpër fanellat e tyre. Çështja e reklamimit të bastoreve është se u kanë mbetur fanellat e vjetra dhe ne e dimë që klubet tona nuk janë edhe aq të pasura sa t’i ndërrojnë fanellat kur të duan”, ka thënë Salihu, sipas të cilit ai biznes që reklamohet në fanellën e Trepçës ’89 nuk ekziston më. “Sa e di unë ajo bastore më nuk ekziston. Gjithsesi, ne nuk kemi ndonjë ligj, i cili i ndalon reklamimet e bastoreve në fanellat e ekipeve”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu për gazetën “Zëri”.

“Duhet kuptuar se është gjendja financiare e klubeve, e cila e ka sjellë këtë situatë. Unë nuk po e shoh ndonjë problem të madh, pasi ajo fanellë nuk e legalizon një bastore. Përfundimisht ne duhet pasur mirëkuptim dhe e dyta nuk kemi ligj që e ndalon këtë reklamim. Pra ekziston ligji, i cili i ka mbyllur bastoret, por nuk ka ligj që ndalon reklamimin. Mund të jetë shembull një firmë nga Gjermania që dëshiron të bëjë reklamë në Kosovë dhe nuk e di a kemi ligj që e ndalon këtë, ne si FFK jo se jo, por as shteti nuk e di që ka një ligj të tillë”, ka përfunduar Eroll Salihu./Zëri.info