Punë intensive në kompleksin sportiv të FC Prishtinës në Bërnicë

Punë intensive në kompleksin sportiv të FC Prishtinës në Bërnicë

Sport September 20, 2019 - 09:09

Ejup Llumnica

Ka kaluar vetëm një javë nga fillimi i punimeve në kompleksin sportiv të FC Prishtinës, që po ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës, derisa punimet po vazhdojnë me ritëm të kënaqshëm.

Lokacioni prej 10 hektarësh pritet që shumë shpejt të ofrojë pamje joshëse, derisa për numrin një të FC Prishtinës, Remzi Ejupi, brenda një periudhe të shkurtër, disamujore, do të përfundojnë dy fushat ndihmëse, në të cilat edhe do t’i nisin stërvitjet ekipi i parë dhe shkolla e futbollit.

“Qe 6 ditë kanë nisur punimet dhe është kryer mbi 70 për qind e punës së rrafshimit të vendit. Qytetarët e pandërgjegjshëm këtu kanë hedhur shumë mbeturina, kështu që fillimisht është dashur të pastrohet vendi e pastaj të nxirren pikat. Unë besoj fuqishëm se të paktën fushën e parë dhe të dytë, nëse na merr koha e mirë, shumë shpejt do t’i kemi në shfrytëzim”, ka thënë presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi për gazetën “Zëri” duke shpresuar që vuajtjes së Prishtinës t’i vijë shpejt fundi. “Prej pasluftës FC Prishtina është në një gjendje jashtëzakonisht të keqe, edhe fëmijët e kryeqytetit, edhe të FC Prishtinës.

Sot me më pyet se ku stërvitin fëmijët tanë nuk jam në gjendje ta jap një përgjigje të saktë. Punojnë në 4-5 fusha, aty ku gjejmë mundësi. Kështu që me ndërtimin e këtyre dy fushave edhe ekipi i parë dhe gjitha moshat do të transferohen këtu”, ka thënë Ejupi, duke dhënë detaje se kur mund të përfundojë i gjithë projekti. “Sipas projektit, parashihet 3-4 vjet që të përfundojnë të gjitha punimet, ndërsa unë po shpresoj që në një afat kohor prej 1 viti do të përfundojnë 5 fushat, ku do të kemi një stadium, i cili plotëson standardet që kërkon FIFA e UEFA për zhvillimin e ndeshjeve”, ka thënë Ejupi, duke shtuar se ky kompleks sportiv do të shfrytëzohet jo vetëm nga FC Prishtina, por nga të gjitha klubet e kryeqytetit.

“Këtë kompleks do ta shfrytëzojnë të gjithë ata që dinë dhe duan të luajnë futboll. Edhe pse është i FC Prishtinës, këtë do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë të gjitha klubet e kryeqytetit, pasi ofron kapacitet të mjaftueshëm. Madje edhe klubet tjera që vijnë nga jashtë mund të akomodohen këtu, pastaj të organizohen turne të ndryshëm e kështu me radhë”, ka përfunduar Remzi Ejupi.