Biznesi i ndaluar me ligj reklamohet në futbollin e Kosovës, FFK-ja nuk mund të bëjë asgjë!

Biznesi i ndaluar me ligj reklamohet në futbollin e Kosovës, FFK-ja nuk mund të bëjë asgjë!

Sport September 20, 2019 - 08:50

Bastoret sportive, edhe pse të ndaluara me ligjet e shtetit të Kosovës, vazhdojnë të reklamohen në futbollin tonë. Një gjë të tillë po e bën klubi mitrovicas Trepça ’89. Kryetari i këtij klubi, Abedin Zeka, thotë se reklama e bastores “Toto Sport” në fanella ka mbetur nga vitet e kaluara dhe momentalisht nuk ka mundësi financiare të blejë fanella të reja. Federata e Futbollit e Kosovës është e njoftuar për çështjen e reklamimit të bizneseve të ndaluara siç janë në këtë rast bastoret, por sipas sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu, FFK-ja nuk ka ndonjë ligj, i cili ndalon reklamimet në fanella

Ejup Llumnica

Kuvendi i Republikës së Kosovës me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim më 28 mars të këtij viti mori vendim për ta shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit. Kësisoj Kuvendi ka vendosur t’i mbyllë të gjitha lojërat e fatit në vend, duke përfshirë Lotarinë e Kosovës dhe bastoret. Megjithatë kur kanë kaluar shtatë muaj nga ky vendim, njëra nga skuadrat e Superligës së Kosovës në futboll, Trepça’89, vazhdon që në fanellat e saj ta reklamojë bastoren “Toto Sport”, biznes ky i ndalur me ligj në Kosovë.

Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka ndonjë rregullore, e cila i ndalon klubet të bartin ndonjë reklamë në fanellat e tyre, derisa presidenti i skuadrës së Trepçës ’89, Abedin Zeka, në një bisedë për gazetën “Zëri” ka thënë se fanellat janë të viteve të kaluara dhe në pamundësi financiare për t’i blerë të rejat vazhdon t’i bartë ato të vjetrat, derisa thotë se asnjë ndihmesë financiare nuk merr nga ky reklamim.

Zeka: Nuk sponsorizohemi nga “Toto Sport”-i, janë fanella të vjetra

I pari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, e ka komentuar çështjen në fjalë. “Trepça ’89 në të kaluarën e ka pasur sponsor bastoren ‘Toto Sport’, i cili na ka ndihmuar, por më nuk ekziston ky biznes dhe nuk jemi duke reklamuar e as përfitojmë asgjë nga ‘Toto Sport’-i”, ka thënë në fillim të bisedës për gazetën “Zëri” kryetari i Trepçës’89, Abedin Zeka, sipas të cilit këto fanella janë të vjetra dhe momentalisht nuk kanë mundësi të blejnë fanella të reja.

“Kur ishim pjesë e Ligës së Kampionëve detyrimisht është dashur t’i kemi dy palë fanella me numra të njëjtë dhe këto fanella i kemi nga ajo kohë, kështu që tash nuk ka kushte për t’i ndërruar ato fanella. Pra unë nuk i reklamoj, as nuk përfitoj asgjë, ajo ka mbetur vetëm pse nuk kemi kushte për t’i ndërruar. Shteti ose institucionet le të m’i bien fanellat e reja dhe unë menjëherë do t’i largoja këto. Për t’i ndërruar komplet pajisjet më duhen 25-30 mijë euro dhe unë nuk kam mundësi ta bëj këtë tash.

Nëse dikujt i pengon kjo fanellë le të sponsorizoj dhe unë do ta largoj, ashtu siç i kam larguar reklamat që ndodheshin përreth stadiumit, të cilat ishin vendosur më shumë për zbukurim. Askujt nuk i pengon sa problemin e ka stadiumi, ejani vizitoni sa vrimën e sa çarjet nëpër mure janë. Këto nuk po i pengojnë askujt. Unë do të isha i lumtur sikur të më ndihmonin si në të kaluarën ‘Toto Sport’-i ose ‘Eurolloto’-ja, ose ‘Mërkuri’, por tash ato nuk ekzistojnë dhe nuk po më ndihmojnë.

Financiarisht nuk jemi mirë dhe nuk kemi mundësi t’i ndryshojmë”, ka thënë Zeka, i cili tash e një kohë të gjatë më forcat e veta mban gjallë klubin mitrovicas dhe duket se momentalisht është i detyruar ta mbartë këtë fanellë., i cili reklamon një biznes të ndaluar me ligj. “Nuk kam pasur momentalisht asnjë vërejtje nga organet përkatëse dhe me kënaqësi do t’i largoja sikur Federata ose Ministria do të m’i sponsorizonin fanellat e reja. Unë jam vetë, nuk kam donatorë tjerë dhe në momentin që mundem t’i largoj, do t’i largoj. Tash për tash nuk mundem dhe do të vazhdoj të luaj me to”, ka përfunduar numri një Trepçës ’89, Abedin Zeka.

FFK-ja nuk ka rregullore, e cila i ndalon klubet për reklama

Federata e Futbollit e Kosovës është e njoftuar për çështjen e reklamimit të bizneseve të ndaluara siç janë në këtë rast bastoret, por sipas sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu, FFK-ja nuk ka ndonjë ligj që i ndalon reklamimet në fanella, derisa për rastin konkret “Toto Sport”-i në fanellën e Trepçës ’89 ka thënë se janë fanella të vjetra dhe klubi nuk ka mundësi ndërrimi tash për tash.

“Ne momentalisht nuk kemi asnjë nen ose ligj, i cili ua ndalon klubeve reklamimet nëpër fanellat e tyre. Çështja e reklamimit të bastoreve është se u kanë mbetur fanellat e vjetra dhe ne e dimë që klubet tona nuk janë edhe aq të pasura sa t’i ndërrojnë fanellat kur të duan”, ka thënë Salihu, sipas të cilit ai biznes që reklamohet në fanellën e Trepçës ’89 nuk ekziston më. “Sa e di unë ajo bastore më nuk ekziston. Gjithsesi, ne nuk kemi ndonjë ligj, i cili i ndalon reklamimet e bastoreve në fanellat e ekipeve”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

“Duhet kuptuar se është gjendja financiare e klubeve, e cila e ka sjellë këtë situatë. Unë nuk po e shoh ndonjë problem të madh, pasi ajo fanellë nuk e legalizon një bastore. Përfundimisht ne duhet pasur mirëkuptim dhe e dyta nuk kemi ligj që e ndalon këtë reklamim. Pra ekziston ligji, i cili i ka mbyllur bastoret, por nuk ka ligj që ndalon reklamimin. Mund të jetë shembull një firmë nga Gjermania që dëshiron të bëjë reklamë në Kosovë dhe nuk e di a kemi ligj që e ndalon këtë, ne si FFK jo se jo, por as shteti nuk e di që ka një ligj të tillë”, ka përfunduar Eroll Salihu.