Ernest Gjoka mendon se ka ardhur koha që kolegët e tij nga Kosova të punojnë edhe në Shqipëri

Ernest Gjoka mendon se ka ardhur koha që kolegët e tij nga Kosova të punojnë edhe në Shqipëri

Sport September 17, 2019 - 11:32
Detajet

Momentalisht në elitën e futbollit kosovar është vetëm një trajner i ardhur nga Shqipëria, Gentian Mezani i Gjilanit.

Ai mbeti i vetmi trajner nga Shqipëria në Superligë, pasi kolegu i tij Mirel Josa u largua nga Prishtina.

Në edicionet e kaluara shumë klube nga Kosova kanë synuar gjëra të mëdha me trajnerët nga Shqipëria.

Disa prej tyre janë Mirel Josa, Gugash Magani, Shpëtim Duro, Sylejman Starova dhe Bledi Shkëmbi, të cilët shëtitën në futbollin kosovar, derisa nuk arritën t'i përmbushnin pritshmëritë e vendosura nga klubet.

Përveç trajnerëve, edhe shumë futbollistë të Superligës shqiptare i janë bashkuar asaj të Kosovës.

Pavarësisht se klubet kosovare u besojnë tej mase trajnerëve nga Shqipëria, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur me klubet shqiptare kundrejt trajnerëve nga Kosova.

Në vitet e fundit nuk mbahet mend që ndonjë trajner nga Kosova të ketë shkelur në fushat e futbollit në Shqipëri në postin e trajnerit, ani pse ka shumë prej tyre që shquhen për suksese në futbollin e Kosovës.

Ndryshe, vite më parë futbollistët më cilësorë në kampionatin e Kosovës janë transferuar në Shqipëri, duke luajtur me shumë sukses, teksa me pranimin e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare fokusi është kthyer nga kampionati kosovar.

Gjoka: Trajnerët nga Kosova do të vijnë shumë shpejt në Shqipëri

Trajneri i mirënjohur nga Shqipëria Ernest Gjoka, duke e komentuar çështjen në fjalë, mendon se në Shqipëri ka pasur një zhvillim më të hovshëm të futbollit në vitet e fundit, duke përmendur kështu edhe suksesin e Skënderbeut në garat evropiane. "Për mendimin tim, nuk është se ka ndonjë problem, por në Shqipëri në dekadën e fundit ka pasur një zhvillim të madh në futboll, ku skuadrat shqiptare kanë bërë mirë edhe në ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës, duke kaluar runde, si për shembull Skënderbeu, ku ishte dy herë në grupe. Gjithmonë në drejtim kanë qenë trajnerët shqiptarë, kurse në Kosovë këto vite ka qenë në ndryshime dhe në rritje. Tashmë edhe skuadrat kosovare po luajnë në UEFA dhe besoj se së shpejti mes nesh do të ketë rotacion trajnerësh. Unë kam shumë respekt për trajnerët kosovarë dhe besoj se ata do të vijnë shpejt në Superligën shqiptare", tha fillimisht Gjoka për gazetën "Zëri".

Gjoka në mes të tjerash mendon se nuk duhet të ketë xhelozi në mes të dy palëve, pasi “jemi një popull”. "Mendoj se duhet respektuar trajnerët nga Kosova dhe Shqipëria dhe të mos krijohen xhelozi, sepse ne jemi një popull dhe duhet të jemi pozitivë në mendimet që japim. Personalisht është një kënaqësi që të gjithë trajnerët shqiptarë të ecin sa më shumë në botën e futbollit, sepse neve nuk na mungojnë kapacitetet që të ecim përpara", përfundoi Ernest Gjoka.

Gazeta ka provuar të marrë një prononcim edhe nga presidenti i Kukësit Safet Gjici, për ta pyetur për çështjen në fjalë, por kontakti me këtë ka qenë i pamundur. /Zëri.info

Image