Gani Sejdiu tregon pse klubet shqiptare nuk i favorizojnë trajnerët nga Kosova

Gani Sejdiu tregon pse klubet shqiptare nuk i favorizojnë trajnerët nga Kosova

Sport September 17, 2019 - 10:42
Detajet

Në vitet e fundit në Superligën e Kosovës në futboll klubet kosovare kanë angazhuar trajnerë dhe futbollistë nga Shqipëria. Mirëpo një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për klubet e Shqipërisë, të cilat vazhdojnë të mos kenë besim te trajnerët nga Kosova, shkruan Zëri.info.

Momentalisht në elitën e futbollit kosovar është vetëm një trajner i ardhur nga Shqipëria, Gentian Mezani i Gjilanit.

Ai mbeti i vetmi trajner nga Shqipëria në Superligë, pasi kolegu i tij Mirel Josa u largua nga Prishtina.

Në edicionet e kaluara shumë klube nga Kosova kanë synuar gjëra të mëdha me trajnerët nga Shqipëria.

Disa prej tyre janë Mirel Josa, Gugash Magani, Shpëtim Duro, Sylejman Starova dhe Bledi Shkëmbi, të cilët shëtitën në futbollin kosovar, derisa nuk arritën t'i përmbushnin pritshmëritë e vendosura nga klubet.

Përveç trajnerëve, edhe shumë futbollistë të Superligës shqiptare i janë bashkuar asaj të Kosovës.

Pavarësisht se klubet kosovare u besojnë tej mase trajnerëve nga Shqipëria, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur me klubet shqiptare kundrejt trajnerëve nga Kosova.

Në vitet e fundit nuk mbahet mend që ndonjë trajner nga Kosova të ketë shkelur në fushat e futbollit në Shqipëri në postin e trajnerit, ani pse ka shumë prej tyre që shquhen për suksese në futbollin e Kosovës.

Ndryshe, vite më parë futbollistët më cilësorë në kampionatin e Kosovës janë transferuar në Shqipëri, duke luajtur me shumë sukses, teksa me pranimin e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare fokusi është kthyer nga kampionati kosovar.

Duke përmendur zhvillimin e Superligës së Kosovës, si dhe të Përfaqësueses sonë, trajneri i mirënjohur kosovar Gani Sejdiu mendon se trajnerët shqiptarë janë të mirëseardhur në Kosovë, derisa për çështjen e kalimit të trajnerëve kosovarë në Shqipëri ai mendon se klubet shqiptare mendojnë se trajnerët vendas janë më të përshtatshëm.

"Përveç Përfaqësueses së Kosovës, edhe Superliga po shënon ngritje të nivelit në të gjitha drejtimet, derisa edhe kushtet janë përmirësuar. Është normale të vijnë trajnerë nga Shqipëria dhe ata janë të mirëseardhur. Por pse kjo nuk është reciproke nuk mund të jap përgjigje adekuate. Mendoj se klubet shqiptare u besojnë më shumë trajnerëve vendas sepse ata e njohin më mirë realitetin dhe janë më të përshtatshëm. Nuk kemi të drejtë që dikush të na vlerësojë, por assesi nuk lejojmë ta në nënvlerësojnë", vlerësoi Gani Sejdiu për gazetën "Zëri"./Zëri.info