'Mbyllja e dyerve' për trajnerët nga Kosova në Shqipëri, ja vlerësimi i Afrim Tovërlanit

'Mbyllja e dyerve' për trajnerët nga Kosova në Shqipëri, ja vlerësimi i Afrim Tovërlanit

Sport September 17, 2019 - 10:11
Detajet

Në vitet e fundit në Superligën e Kosovës në futboll klubet kosovare kanë angazhuar trajnerë dhe futbollistë nga Shqipëria.

Mirëpo një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për klubet e Shqipërisë, të cilat vazhdojnë të mos kenë besim te trajnerët nga Kosova, shkruan Zëri.info.

Momentalisht në elitën e futbollit kosovar është vetëm një trajner i ardhur nga Shqipëria, Gentian Mezani i Gjilanit.

Ai mbeti i vetmi trajner nga Shqipëria në Superligë, pasi kolegu i tij Mirel Josa u largua nga Prishtina.

Në edicionet e kaluara shumë klube nga Kosova kanë synuar gjëra të mëdha me trajnerët nga Shqipëria.

Image

Disa prej tyre janë Mirel Josa, Gugash Magani, Shpëtim Duro, Sylejman Starova dhe Bledi Shkëmbi, të cilët shëtitën në futbollin kosovar, derisa nuk arritën t'i përmbushnin pritshmëritë e vendosura nga klubet.

Përveç trajnerëve, edhe shumë futbollistë të Superligës shqiptare i janë bashkuar asaj të Kosovës.

Pavarësisht se klubet kosovare u besojnë tej mase trajnerëve nga Shqipëria, një gjë e tillë nuk është duke ndodhur me klubet shqiptare kundrejt trajnerëve nga Kosova.

Në vitet e fundit nuk mbahet mend që ndonjë trajner nga Kosova të ketë shkelur në fushat e futbollit në Shqipëri në postin e trajnerit, ani pse ka shumë prej tyre që shquhen për suksese në futbollin e Kosovës.

Ndryshe, vite më parë futbollistët më cilësorë në kampionatin e Kosovës janë transferuar në Shqipëri, duke luajtur me shumë sukses, teksa me pranimin e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare fokusi është kthyer nga kampionati kosovar.

Trajneri më i suksesshëm kosovar Afrim Tovërlani në një bisedë me gazetën "Zëri" ka thënë se ardhja e trajnerëve nga Shqipëria ka efekte pozitive, derisa për klubet nga Shqipëria thotë se është e drejtë e tyre se kë duan ta emërojnë trajner.

"Në dy vjetët e fundit patëm disa ardhje të trajnerëve nga Shqipëria, gjë që ishte shumë e mirë, sepse sjellin mënyra të ndryshme të punës. Por asnjëri nga ta nuk arriti të prekë titullin, që do të thotë se nuk kanë më shumë cilësi se trajnerët kosovarë. E pse nuk ka trajner nga Kosova në Shqipëri është pyetje për ata? Realisht ishte një periudhë kur ne nuk ishim të pranuar dhe futbolli shqiptar ishte më lart falë investimeve që janë bërë. Tashmë edhe klubet kosovare po ofrojnë kushte të mira. Klubet shqiptare e kanë të drejtën të marrin çfarëdo trajneri", përfundoi Afrim Tovërlani./Zëri.info