Batatina për derbin ndaj Prishtinës: Do ta japim më të mirën nga vetja për të marrë rezultat pozitiv

Sport September 13, 2019 - 11:30
Detajet

Pas një pushimi njëjavor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, elita e futbollit kosovar rikthehet sot në skenë me dy ndeshje tejet interesante, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Pa dyshim, vëmendja e gjithë opinionit kosovar në javën e 4-t në Ipko Superligën e Kosovës në futboll do të jetë te superndeshja ku përballet Prishtina e Llapi.

Edhe Prishtina, edhe Llapi kampionatin nuk e nisën mirë, gjë e cila bën që sfida e sotme, e cila nis nga ora 19:00 dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të jetë shumë e zjarrtë dhe joshëse për t’u ndjekur.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e sheh këtë ndeshje si shumë të vështirë, por beson se skuadra e tij do të dijë të reagojë. “Ajo çka është me rëndësi për ne është se atmosfera në ekip është e shkëlqyer dhe puna intensive, e cila është bërë në këtë pushim dhjetëditor”, ka thënë Batatina për gazetën “Zëri” duke vazhduar: “Do të jetë një ndeshje e mirë, por edhe e vështirë. Ne jemi të motivuar për këtë ndeshje dhe do ta japim më të mirën nga vetja për të marrë rezultat pozitiv”, përfundoi Batatina, i cili në këtë sfidë nuk mund të llogarisë në njërin nga lojtarët kryesorë të sulmit, Labinot Osmani. Ai pritet që të mungojë 10 ditë për shkak të një lëndimi.

Ditën e premte luhet edhe një ndeshje tjetër, ajo ndërmjet Ballkanit e Trepçës ’89. /Zëri.info

Orari i ndeshjeve

E premte

16:00 Ballkani – Trepça ’89

19:00 Prishtina – Llapi

E shtunë

16:00 Drita – Feronikeli

16:00 Drenica – Gjilani

E diel

16:00 Flamurtari – Dukagjini

16:00 Ferizaj – Vushtrria