Prishtina e Llapi, derbi që ndez javën e 4-t të Superligës

Prishtina e Llapi, derbi që ndez javën e 4-t të Superligës

Sport September 13, 2019 - 09:41
Detajet

Pas një pushimi njëjavor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, elita e futbollit kosovar rikthehet sot në skenë me dy ndeshje tejet joshëse, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Pa dyshim, vëmendja e gjithë opinionit kosovar në javën e 4-t në Ipko Superligën e Kosovës në futboll do të jetë te superndeshja ku përballet Prishtina e Llapi. Edhe Prishtina, edhe Llapi kampionatin nuk e nisën mirë, gjë e cila bën që sfida e sotme, e cila nis nga ora 19:00 dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të jetë shumë e zjarrtë dhe joshëse për t’u ndjekur.

Kjo është ndeshja e parë e Prishtinës që luan në “Fadil Vokrri” në këtë edicion, derisa një fakt tjetër që e bën këtë ndeshje joshëse është se Prishtina do të hyjë në fushë me një udhëheqës të ri. Pra trajner i skuadrës do të jetë Bylbyl Sokoli, i cili zëvendësoi të shkarkuarin Mirel Josa pas dështimeve në dy ndeshjet e para, ku fillimisht barazoi me Flamurtarin e pastaj u mposht nga Feronikeli (ndeshja me Dukagjinin është shtyrë).

“Është ndeshja ime e parë dhe luajmë kundër një ekipi cilësor. Atmosfera në klub është jashtëzakonisht e mirë dhe po shpresoj në prezantim të suksesshëm të ekipit në këtë ndeshje timen të parë. Jemi skuadër komplete, përveç Leonit Abazit që ka pasur një lëndim gjatë javës i cili është duke e sanuar lëndimin dhe mungon në ndeshje”, ka thënë Sokoli.

Prishtina në këtë ndeshje do ta ketë në dispozicion edhe portierin Visar Bekaj. Në afatin kalimtar të janarit Beka është pritur të transferohet në një klub të njohur në Evropë, mirëpo një gjë e tillë është shtyrë për muajin dhjetor.

Në anën tjetër trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e sheh këtë ndeshje si shumë të vështirë, por beson se skuadra e tij do të dijë të reagojë. “Ajo çka është me rëndësi për ne është se atmosfera në ekip është e shkëlqyer dhe puna intensive, e cila është bërë në këtë pushim dhjetëditor”, ka thënë Batatina për gazetën “Zëri” duke vazhduar:

“Do të jetë një ndeshje e mirë, por edhe e vështirë. Ne jemi të motivuar për këtë ndeshje dhe do ta japim më të mirën nga vetja për të marrë rezultat pozitiv”, përfundoi Batatina, i cili në këtë sfidë nuk mund të llogarisë në njërin nga lojtarët kryesorë të sulmit, Labinot Osmani. “Nuk do të jem gati për ndeshjen e nesërme. Së paku edhe 10 ditë më duhet të pauzoj”, ka njoftuar Labinot Osmani.

Të kujtojmë se si Prishtina, si Llapi kampionatin nuk e kanë nisur edhe aq mirë, kështu që ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme për t’u fituar. Ditën e premte luhet edhe një ndeshje tjetër, ajo ndërmjet Ballkanit e Trepçës ’89.

Orari i ndeshjeve

E premte

16:00 Ballkani – Trepça ’89

19:00 Prishtina – Llapi

E shtunë

16:00 Drita – Feronikeli

16:00 Drenica – Gjilani

E diel

16:00 Flamurtari – Dukagjini

16:00 Ferizaj – Vushtrria