Zbulohen rrogat e shqiptarëve në Itali, Hysaj i pari

Zbulohen rrogat e shqiptarëve në Itali, Hysaj i pari

Sport shtator 11, 2019 - 18:31
Detajet

Mes pagave të zbuluara për futbollistët e Serisë A nuk mund të bëjnë përjashtim as shqiptarët, ku sipas të dhënave që ofron “Gazzetta dello Sport”, është Elseid Hysaj lojtari me xhepat më të fryrë kundrejt të tjerëve, madje dhe i vetmi që ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh, ndonëse këtë verë, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ishte gati të pranonte edhe gjysmën e kësaj vlere, vetëm për të larguar shkodranin gjatë merkatos së verës.

Gjithsesi, duke mbetur te rrogat neto që kuqezinjtë e Serisë A fitojnë, mbrojtësi i djathtë dhe kapiteni i Kombëtares në mbrëmjen e djeshme kundër Islandës, fiton 1.6 milionë euro nga marrëveshja që ka me Napolin, e cila është e vlefshme deri në vitin 2022, transmeton "Panorama Sport". 

Elseid Hysaj, në renditjen e shqiptarëve më të paguar ndiqet nga portieri titullar i Lazios, fantastiku Thomas Strakosha, i cili paguhet 1.2 milionë euro në sezon, por duke parë paraqitjet e bëra sidomos në dy sezonet e fundit dhe normalisht ofertat e ardhura nga disa klube angleze, ku spikat ajo e nënkampionëve të Europës, Tottenhamit, pritet që shumë shpejt, drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, t’i ofrojë një rinovim me rritje page djalit të Foto Strakoshës, legjendës së portës shqiptare.

Ai që ulet në shkallën e fundit të podiumit është një tjetër portier, Etrit Berisha, i cili këtë verë la Atalantën për t’iu bashkuar SPAL-it, me një kontratë 2-vjeçare, e cila i garanton 1 milion euro neto në sezon. Ndërkohë, protagonistët e tjerë shqiptarë të sezonit të ardhshëm të Serisë A, nuk flasin me miliona, por me paga më të ulëta.

Berat Gjimshiti paguhet 400 mijë euro në sezon tek Atalanta, e cila kujtojmë se sivjet do të marrë pjesë në grupet e Ligës së Kampioneve.

Pas tij vjen mesfushori i Breshas, Emanuele Ndoj me 200 mijë euro neto në sezon, i ndjekur nga Kastriot Dermaku, blerja e re e Parmës në merkaton e verës, me 180 mijë euro në vit. Ai që mbyll renditjen është Marash Kumbulla, mbrojtësi i Hellas Veronës dhe i Shpresave shqiptare, me 100 mijë euro në sezon, ndonëse sivjet ai firmosi kontratën e parë si futbollist me klubin verdheblu.

Image