Hysaj me fjalë të mëdha për Kosovën

Hysaj me fjalë të mëdha për Kosovën

Sport shtator 09, 2019 - 13:44
Detajet

Edoardo Reja ka ulur në stol Mërgim Mavrajn, si “ndëshkim” për humbjen në Francë, por në fakt, “L’Equipe”, prestigjiozja sportive franceze, votonte me notën më të ulët nga kuqezinjtë tanë, Elseid Hysajn.

Madje, e shihte shkodranin e Napolit si imazhin negativ të kombëtares sonë, në mbrëmjen e 7 shtatorit. Këtij të fundit i kalon shiriti tashmë, duke iu shtuar përgjegjësia për ndeshjen e së martës në mbrëmje, ndaj Islandës.

Në konferencën për shtyp, në krah të trajnerit, Hysaj është munduar të shfajësohet në emër të shokëve të kombëtares, duke pranuar momentin aspak të mirë: “Atmosfera nuk është e mirë, por mos harroni se luajtëm me kampionët e botës. Të gjithë e dinë se çfarë force ka Franca. Kushdo që do të luajë kundër saj, do të ketë probleme. Për ndeshjen e nesërme jemi të gjithë optimistë, jemi profesionistë dhe do të japim çdo gjë në fushë. Unë kapiten? Jam gjithmonë i kënaqur ta kem këtë shirit në krahë, nuk kam frikë. Edhe Mavraj e ka mbajtur dhe na ka sjellë fat.

Kritikat? Për sa i përket ndeshjes me Francën, e dimë të gjithë se kemi pasur probleme, e kemi zhgënjyer tifozërinë tonë të zjarrtë. Ata që asin në rrjetet sociale janë pak në numër, fatmirësisht. Vetëm ata ofendojnë, por nuk është trimëri ta bësh këtë nga pas kompjuterit. Është normale që një lojtar të gabojë në fushë. Nuk është e drejtë të na sulmojmë. Ne vijmë këtu jo për para, por të luajmë për shtetin tonë.

Japim maksimumin për kombëtaren. Ne nuk kemi aq potencial sa të mundim Francën. Njerëzit prisnin që ne të shkonim atje dhe të fitonim, por tjetër është dëshira dhe tjetër mundësia. Franca ka lojtarë të veçantë, që kushtojnë sa krejt kombëtarja jonë. Natyrisht, hymë në fushë që të mbroheshim dhe të luanim për të marrë ndonjë rezultat pozitiv. Pozicioni im në fushë? Unë e kam detyrën time në krah. Gjithë lojtarët janë në fushë për të bërë detyrat që iu ngarkohen prej trajnerit. Nuk është nevoja që lojtarët të bëjnë më shumë sesa roli i tyre. Kam besim që në ndeshjen e nesërme do të jemi shumë mirë në fushë dhe do të luajmë një ndeshje të bukur, sa nuk do ta besojë askush .

Kosova po na lë mbrapa? Kosovës i jap thjesht urimet e mia dhe të vazhdojë sikurse është duke bërë. Besoj se ajo ka zjarrin që kishim ne në fillim, siç e kishte kombëtarja jonë në eliminatoret e “Euro 2016”. Uroj të vazhdojë kështu!”