Luajmë basketboll, por basketboll nuk kemi

Luajmë basketboll, por basketboll nuk kemi

Sport August 22, 2019 - 09:01

“Ne kemi pasur mundësi të kemi përfaqësim më të denjë, sepse rajoni basketbollistik na e jep këtë mundësi, por kemi devijuar nga ajo mundësi. Ne po luajmë basketboll, por basketboll nuk kemi. Na mungon përgjegjësia, disiplina, motivimi, qasja ndaj të bërit basketboll, lojtarët nuk e gjejnë motivin e profesionistit të vërtetë si në stërvitje, ashtu dhe në ndeshje. Thjesht, nuk shohin perspektivë”, ka thënë për gazetën “Zëri” Nazmi Paqarada

Ejup Llumnica

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është ndarë e zhgënjyer nga kualifikueset për “Evropian 2021”, pasi nuk i arriti rezultatet e pritshme. Kosova njihet si vatër e basketbollit, pasi këtu gjithmonë ka pasur lojtarë dhe entuziastë të kësaj loje të bukur. Kjo edhe po bën të besohet se Kosova ka shumë më shumë potencial sesa ajo që e shfaqi ne eliminatoret e fundit, ku nga katër ndeshje fitoi vetëm një dhe atë ndaj Luksemburgut. Por ku është problemi? Kjo pyetje po pret përgjigje. Federata e Basketbollit e Kosovës, pas atyre eliminatoreve, reagoi duke ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin e përfaqësueses Damir MuIaomeroviç, derisa kapiteni i Kosovës Dardan Berisha në një bisedë për gazetën “Zëri” ka thënë se ishin lëndimet ato që e penalizuan Kosovën dhe nuk mundi të shfaqë gjithë potencialin që e ka. Në anën tjetër ish-sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Nazmi Paqarada, duke folur për gjendjen aktuale në basketbollin tonë ka thënë se basketbolli nuk po kalon nëpër periudhë të mirë.

Berisha: Ishim të pafat, lëndimet na kufizuan

Numri një i ekipit të Kosovës, Dardan Berisha, ka thënë se kanë pritur nga Kosova më shumë, por e pranon se Britania e Madhe ishte më e fortë dhe me meritë ka ecur tutje. Sipas Berishës, Kosova në këto eliminatore ishte e hendikepuar, pasi është përballur me lëndime të lojtarëve kryesorë. “Britania e Madhe ka qenë favorite dhe me meritë është kualifikuar. Në anën tjetër ne nuk kishim fat, pasi u përballëm me lëndime. Dihet që Lis Shoshi është lënduar para se të fillojnë kualifikimet dhe ai për ne është ndër lojtarët kryesorë. Gjithsesi, ajo që na ka dëshpëruar ishte gabimi që bëmë me Luksemburgun ku humbëm dhe ajo humbje na ka kushtuar”, ka thënë Berisha, duke besuar se Kosova ka shumë më shumë forcë sesa ajo që u pa në eliminatoret e fundit. “Kemi më shumë potencial, e këtë e kemi treguar sidomos në ndeshjet me Maqedoninë e Veriut dhe me Estonin, por kohëve të fundit nuk kemi fat me lëndime. Shpresoj që edhe lojtarët e rinj në të ardhmen do të bashkohen edhe do t’i japin forcë shtesë Përfaqësueses, pasi këtu vërtet ka potencial”, ka thënë për gazetën “Zëri” Dardan Berisha.

Paqarada: Basketbolli ka dalë nga binarët

Për ish-sekretarin e përgjithshëm të FBK-së, Nazmi Paqarada, basketbolli i Kosovës është në një situatë jo të mirë dhe ajo urgjentisht duhet ndryshuar. Ai në një analizë të bërë për gazetën “Zëri” në detaje ka folur se çfarë nuk po shkon. “Për nga natyra nuk jam kritikues, mundohem të jam realist, por në situata të cilat kërkohen nga unë, si në këtë rast kur pyetem, nuk refuzoj asnjëherë, por e jap mendimin tim dhe këtë e kisha bërë po të isha edhe vetë pjesë e kësaj strukture. Basketbolli nuk është në binarë të duhur të zhvillimit, ne nuk kemi krijuar sistem të mirëfilltë të punës”, ka thënë në fillim të bisedës Paqarada. “Janë angazhuar profesionistë për punë me grup-mosha, por kanë dalë të dështuar për punën që u është dhënë me trajnerë të huaj e vendorë. Atëherë shtrohet pyetja, pas çdo dështimi të kthehemi prapë nga fillimi dhe me sloganin duhet punë me grup-mosha, premtim e preokupim i përsëritur, por jo i qëlluar. Ku është gabimi? Pse po dështojmë? A kemi njerëz profesionistë? Unë mendoj se kemi, por pak. Atëherë duhet përforcim të qëlluara nga jashtë e jo vetëm sa për ta arsyetuar se kemi marrë dikë”, ka thënë ish-sekretari i FBK-së.

“Para shumë viteve kam kërkuar testim për trajnerë (kam dëshmi dhe dëshmitarë) nuk është bërë, tash po e bëjnë shtetet që e kanë të zhvilluar basketbollin. Kemi shumë shkolla, por nuk kemi produkt të duhur për basketbollin. Te grup-moshat ky dështim është fryt i punës joadekuate që bëhet me vite”, ka thënë Paqarada,sipas të cilit Federata duhet të shikojë nivelin e basketbollit nëpër grup-mosha para se të marrë vendim për t’u prezantuar në evenimente ndërkombëtare. “Me ato grup-mosha ku nuk jemi gati për garim nuk duhet të marrim pjesë që ta dëmtojmë pritshmërinë dhe imazhin, para çdo sezoni të divizioneve duhet të ulet Këshilli Profesional dhe i Trajnerëve të vlerësojë se cila grup-moshë këtë vit mund të jetë konkurruese e jo të marrim pjesë pa një vlerësim profesional dhe të zhgënjejmë veten së pari dhe tutje. Kjo shkon zinxhirë deri te Përfaqësuesja A, nuk furnizohet me lojtarë nga poshtë dhe përbërja nuk ka konkurrencë, lojtarët ekzistues arrijnë moshën dhe humb freskia e motivi i performancës së duhur për të qenë konkurruese”, ka vlerësuar Paqarada, i cili është i bindur se Kosova mund të japë shumë më shumë se kaq.

Kosova mundet më shumë sesa kaq!

Ish-sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Nazmi Paqarada, është i bindur se Kosova mundet dhe ka potencial më shumë sesa atë që e tregoi në eliminatoret e fundit, por sigurisht duhet një mobilizim më i madh për ta kërkuar atë. “Ne kemi pasur mundësi të kemi përfaqësim më të denjë, sepse rajoni basketbollistik na e jep këtë mundësi, por kemi devijuar paksa nga ajo mundësi dhe ne po luajmë basketboll, por basketboll nuk kemi. Na mungon përgjegjësia, disiplina, motivimi, qasja ndaj të bërit basketboll, lojtarët nuk e gjejnë motivin e profesionistit të vërtetë si në stërvitje ashtu dhe në ndeshje. Thjesht, nuk shohin perspektivë. Te ne bëhen ndryshime të shpeshta të trajnerëve, nuk u ofrohet mundësia e përcjelljes së gjeneratave. Nuk i marrim kritikat si pozitive për përmirësim në punë. Jemi të prirë për veprime vizuale, sipërfaqësore, plotësim i egove individuale. Mediet nuk janë në nivelin se si veprojnë në vendet tjera, kritikat e tyre duhet të merren me pozitivizëm për punë, kurse këtu gabimet dhe dështimet i ngjyrosin me pompozitet deri në atë që ne po bëjmë revolucion, kurse realiteti shihet dhe preket çdo ditë dhe zhgënjehesh, pse kur kemi mundur të ishim shumë më mirë?”, ka përfunduar Nazmi Paqarada./Zëri.info