Përforcimi që i bëri të heshtin shumë yje

Përforcimi që i bëri të heshtin shumë yje

Sport August 20, 2019 - 10:44
Detajet

Enis Zabërgja është emri më i përfolur në javën e parë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll. Ai në sfidën hapëse të javës së parë në elitën e futbollit kosovar shënoi dy gola, madje në kohën kur skuadra e tij ishte në disavatazh për t’ia kthyer shpresën për fitore. Në fakt, Zabërgja tash e tutje mund të cilësohet edhe si shpresa e Llapit edhe për titull, pasi vërtet dëshmoi cilësi të larta.

Futbollisti vushtrrias, i cili në elitën e futbollit nuk erdhi si përforcim as nga kampionati shqiptar, as nga ai i Maqedonisë e as nga ndonjë kampionat tjetër, siç erdhën shumë të tjerë, madje me shifra marramendëse, por erdhi nga Liga e Parë e Kosovës pa bërë shumë bujë, duke mos e cilësuar askush si përforcim të madh të Llapit, arriti t’i demantojë të gjithë. Sulmuesit 34-vjeçar i mjaftuan 90 minuta për ta dëshmuar të kundërtën dhe për të treguar se sa vlen.

Në një bisedë për gazetën "Zëri", Zabërgja shpjegon ndjenjat se si janë kur kthehet në maja të futbollit, aty ku ishte disa vite më parë, derisa thotë se ai gjithmonë ka besuar në vlerat e veta dhe gjithçka që i duhet është vetëm të përgatitet mirë fizikisht. "Nëse jam i pagatitur mirë, atëherë për të shënuar gola nuk e kam problem", ka thënë Zabërgja skuadra e të cilit në sfidën e parë të këtij kampionati e mposhti Vushtrrinë me rezultat 4:1. "Këtë sezon jam përgatitur shumë mirë dhe jam në superformë. Edhe gjatë fazës përgatitore kam shënuar gola dhe po ndihem shumë mirë", shtoi Zabërgja për gazetën "Zëri", duke deklaruar se forma e tij vetëm sa po vjen e po rritet. "Forma ime dita-ditës është duke u rritur. E kam nisur shumë mirë kampionatin dhe shpresoj se do të vazhdoj kështu. Sigurisht që jam duke punuar të vazhdoj në këtë mënyrë", potencoi sulmuesi vushtrrias, duke folur me pas nëse këto dy gola të shënuara në ndeshjen e parë janë sinjale se ai e synon edhe "Këpucën e Artë". "Sa i përket 'Këpucës së Artë', atë nuk e kamë synim. Me rëndësi për mua është të luaj mirë dhe ekipi ka rëndësi më të madhe sesa golat. Te Llapi është krijuar një atmosferë ku ekipi është mbi të gjithë dhe askush nuk e ka synim vetëm të shënojë gola për vete. Në këtë vit do të luftojmë për një vend, i cili na dërgon në Evropë, atje ku edhe është objektivi kryesor i skuadrës sonë", ka përfunduar Enis Zabërgja. /Zëri.info

Image