Për katër muaj pa pagë, mbrojtësi nga Kosova akuzon rëndë klubin shqiptar

Për katër muaj pa pagë, mbrojtësi nga Kosova akuzon rëndë klubin shqiptar

Sport June 23, 2019 - 18:23
Detajet

Situata te Luftëtari po rëndohet dita-ditës, pasi lojtarët që nuk janë nën kontratë me bluzinjtë, pasi kanë pritur drejtuesit të reagojnë, nuk duruan gjatë dhe kanë shpallur “divorcin”.

Mirëpo, në skenë te gjirokastritët ridel edhe çështja e rrogave, që kulmoi në fundvitin e kaluar.

Futbollisti i radhës që ka konfirmuar largimin nga Luftëtari është mbrojtësi kosovar, Mërgim Neziri, i cili iu bashkua gjirokastritëve në merkaton e janarit.

Lojtari 26-vjeçar ka firmosur në Ligën e Katërt gjermane me klubin VFR Alen, aty ku ka qenë edhe tetë vite më parë.

Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, lojtari kosovar i lindur në Gjermani tregon edhe arsyen e kësaj lëvizjeje, ndërkohë që kishte një opsion nën kontratë për të rinovuar me Luftëtarin.

Image

Ai akuzon drejtuesit e klubit gjirokastrit për 4 muaj paga të padhëna, ndërsa paralajmëron se do ta çojë çështjen në FIFA. “Firmosa kontratë 6-mujore me Luftëtarin, por me opsion rinovimi nëse të dyja palët binim dakord pas përfundimit të sezonit. Por, mua askush nga klubi deri më sot (21 qershor) nuk më ka dhënë një përgjigje për të ardhmen time. Ata e kanë të qartë që kanë 4 rroga pa më dhënë. Unë nuk e shkel Gjirokastrën pa m’i dhënë lekët që më detyrohet klubi. U kam dhënë një afat për të më kthyer përgjigje, por askush nuk më ka kontaktuar. Drejtuesit nuk e kanë mbajtur fjalën e dhënë, kështu që unë kam vendosur të marr avokatin për të zgjidhur çështjen e pagave.

Ofertat në këtë periudhë nuk më kanë munguar, si nga klube në Shqipëri dhe Kosovë. Madje i kisha shumë të mira, por unë zgjodha të rikthehem prapë në Gjermani, pikërisht në klubin ku kam luajtur edhe më parë, VFR Alen”, është shprehur fillimisht Neziri.

Ndërkohë, në fund të deklaratës, ai nuk lë pa falënderuar shokët e skuadrës dhe trajnerin, ndërsa drejtuesit e klubit i cilëson të turpshëm. “Sa për periudhën që kalova te Luftëtari, falënderoj trajnerin Julian Ahamtaj dhe bashkëlojtarët. Të gjithë ishin çuna të mirë dhe bashkë ia arritëm qëllimit, mbijetesën. Është një turp për kryesinë e klubit që nuk të jep djersën që kemi merituar. Ia dolëm ta shpëtonim ekipin, qëndruam në Superiore dhe mos të japin rrogat që na takojnë, ky është një turp”, deklaroi i indinjuar lojtari kosovar, i cili erdhi te Luftëtari falë insistimit të ish-trajnerit Gentjan Mezani.

Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i drejtuesve, me presidentin Grigor Tavo, që pas deklaratave bombastike të pak ditëve më parë, ka zgjedhur heshtjen, në një kohë që lojtarët po e akuzojnë si jokorrekt. Eksodi te Luftëtari me sa duket do të vazhdojë.